Sot ka shumë të dhëna mbi historinë e konflikteve ushtarake, të cilat kanë shkaktuar miliona të vdekur gjatë shekullit të kaluar. Por ndërkohë ka relativisht pak kërkime sasiore, që të parashikojnë shpeshtësinë dhe egërsinë e luftërave.
Shkruan: Christopher Joye, The Strategist
Si një investitore në tregjet financiare globale, kompania jonë po përpiqet vazhdimisht të të angazhohet në fushën e parashikimit të ngjarjeve të ardhshme. Vitin e kaluar, ne krijuam modele mbarëbotërore të parashikimit të Covid-19, të cilat na dhanë mundësinë të parashikojmë një kulm shumë më të hershëm se sa pritej, të valës së parë të infeksioneve në prillin e vitit 2020.
Ndërkaq së fundmi kemi zhvilluar kërkime, të cilat mund të përdoren për të vlerësuar gjasat empirike të llojeve të ndryshme të konflikteve që mund të ndodhin në botë. Për dekadën e fundit, rreziku më i madh që kemi synuar të kuptojmë është probabiliteti i një lufte midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Probabiliteti i një konflikti të tillë, duket se është përshpejtuar nën presidencën e fortë të Xi Jinping. Shumë ekspertë, si John Lee, Oriana Skylar Mastro, Rory Medcalf dhe Ross Babbage, të cilët konsultohen me ne, kanë vënë në dukje rrezikun e një konflikti me intensitet më të ulët, me një probabilitet rreth 50 për qind.
Hulumtimi ynë sasior e mbështet këtë pretendim. Një ekip nën drejtimin tim dhe të Kai Lin, Nathan Giang, James Yang shpenzoi 12 muaj duke përdorur 160 vjet të dhëna mbi konfliktet, por edhe duke përdorur një sërë teknikash për të parashikuar probabilitetin e llojeve të ndryshme të konflikteve me egërsi të ndryshme.Synimi i studimit tonë, është të stimulojmë studime të mëtejshme akademike, dhe të injektojmë një objektivitet më të madh në debatet publike rreth rrezikut të konflikteve ushtarake. Debate të tilla, përfshijnë thuajse gjithmonë opinione tejet subjektive, të cilave u mungon shpesh një bazë e të dhënave dhe testeve empirike.
Përfundimet përqendrohen në hapësira kohore 12 mujore, 5 dhe 10 vjeçare. Aktet ushtarake të një kombi të drejtuara ndaj qeverisë, zyrtarëve, forcave, pronës ose territorit të një shteti tjetër, njihen në literaturën akademike si “mosmarrëveshje të militarizuara ndërshtetërore”, ose shkurt MID.
Në modelet tona të parashikimit, ne i klasifikojmë MID sipas niveleve në rritje të ashpërsisë së përplasjes:një kërcënim për përdorimin e forcës; përdorimi aktual i forcës; një sulm i izoluar, një sulm ajror; si dhe një luftë gjithëpërfshirëse me një numër minimal të vdekurish.
Për ta adresuar problemin e parashikimit që përfaqëson lufta, ne aplikuam teknika shkencore, statistikore dhe të mësimit të makinerisë në të dhënat mbi MID. Hulumtimi ynë thekson se mundësia e një konflikti ushtarak me intensitet të ulët midis Tajvanit dhe Kinës gjatë 10 viteve të ardhshme, është e prirur me kalimin e kohës drejt një probabiliteti prej rreth 75 për qind.
Duke pasur parasysh në modelimin tonë rrjetet e aleancave globale, probabiliteti i një konflikti ushtarak me intensitet të ulët gjatë dekadës së ardhshme midis SHBA dhe Kinës është gjithashtu i rritur, në rreth 46 për qind, gjë që është në përputhje me vlerësimet e ofruara nga analistët më luftë-nxitës.
Gjatë asaj periudhe, modelimi tregon se mundësia e një konflikti me intensitet të ulët midis SHBA dhe Rusisë është gjithashtu e lartë, gati 30 për qind; midis Kinës dhe Rusisë 44 për qind; 46 për qind midis Kinës dhe Japonisë; dhe 55 për qind midis Kinës dhe Indisë.
Kur ngremë pragun e intensitetit të konfliktit, nga sulmet në një shkallë të vogël në një luftë të plotë, probabilitetet bien dukshëm, edhe pse ato janë ende të mundura. Për shembull modelimi ynë, sugjeron që Kina dhe India kanë 22 për qind mundësi që të përfshihen në një luftë midis tyre në 10 vitet e ardhshme.
Mundësia e një lufte të drejtpërdrejtë midis Kinës dhe SHBA-së është 12 për qind; midis Kinës dhe Tajvanit, 11 për qind; ndërsa midis Kinës dhe Japonisë, 10 për qind. Çdo luftë e tillë do të kishte pasoja potencialisht kataklizmike. Rreziku i një lufte të drejtpërdrejtë midis SHBA-së dhe Rusisë është çuditërisht shumë më i ulët,vetëm rreth 2 për qind.
Këto modele kanë shumë zbatime të mundshme, përfshirë planifikimin e strategjive, politikë-bërjen e jashtme të qeverisë, vendimmarrjen politike dhe menaxhimin e rrezikut financiar. Dhe përtej sigurimit të një kuptimi më të mirë të kërcënimeve me të cilat përballemi, zbulimi i probabilitetit real empirik të konfliktit, mund t’i ndihmojë vendimmarrësit të bindin komunitetet që të mos i nënvlerësojnë shpenzimet e mbrojtjes dhe marrjen e masave përballë katastrofës që ofron.
Në një studim të vitit 2012, akademiku zviceran Thomas Chadefaux u ankua me të drejtë:Mjerisht, parashikimi i luftës ka qenë subjekt i një interesi çuditërisht të vogël në literaturë, në një dallim të dukshëm me një gamë të gjerë fushash, nga financat tek gjeologjia, ku ka një vëmendje shumë më të madhe për parashikimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme si krizat financiare ose tërmetet. Ndaj ka ardhur koha të përdorim metoda sasiore më të përparuara për ta orientuar debatin mbi rreziqet e konflikteve me të cilat mund të përballemi në të ardhmen. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al