Qeveria Kurti II, që nga fillimi i punës së tyre, si duket ka alarmuar edhe institucionet e drejtësisë, të cilat po shfaqen më të ashpra në këtë kohë.
Që nga formimi i Qeverisë, kemi parë disa aksione të Policisë të cilët në bashkëpunim me Prokurorinë kanë arritur të arrestojnë shumë zyrtarë të shtetit, të cilët dyshohen që kanë kryer krim të organizuar, korrupsion, marrje të ryshfetit dhe disa krime të tjera.
Së fundmi një aksion policor i realizuar sot është përfunduar me sukses, ku janë arrestuar dhjetëra persona në shumë qytete të Kosovës, e që cak ishin zyrtarë të lartë komunal.
Në lidhje me këtë çështje, analisti politik, Gani Qarri, thotë se, duke pasur parasysh kërkesat e vazhdueshme të BE-së për reforma të thella e thelbësore në institucionet shtetërore dhe administratën publike të vendit, premtimet e shprehura në fushatën parazgjedhore, si dhe obstruksionet në vijimësi të mafisë politike dhe ish qeveritarëve të kriminalizuar politik, për pengimin e reformave dhe ecjen e shtetit përpara, Qeveria e re duket se përfundimisht është përqendruar me vendosmëri në spastrimin urgjent të elementëve kriminal, atyre të korruptuar e të inkriminuar edhe nga BIA-serbe në Kosovë, për zbatimin e reformave jetike për qytetarët e vendit, dhe rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit në BE.
“Madje kjo u dëshmua edhe me aksionet më të reja të policisë së Kosovës, të cilat vetëm sot, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës realizuan bastisje në tri komuna si atë të Pejës, Klinës dhe Istogut, duke arrestuar së paku, mese 10 zyrtarë, me dyshimin se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare” dhe involvim në korrupsion e krim të organizuar”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.
Ai thotë se ky luftim i korrupsionit nis pas ardhjes së Kurtit në pushtet.
“Por suksesi i saponisur për luftimin e njëmendtë të korrupsionit dhe krimit i organizuar në vend, që po ndodhë vetëm pas ardhjes së Qeverisë Kurti në pushtet, si dhe rivendosja e rendit dhe ligjit, me arrestimin e zyrtarëve të dyshuar, që është edhe një nga reformat më jetike për qytetarët e vendit, ka filluar ti shqetësoj tej mase udhëheqësit komunal dhe qendror të partive të inkriminuara, të cilët nga frika se do të dalin në pah edhe mëkatet e tyre, menjëherë kanë filluar të thirrin edhe konferenca shtypi, për ti shpallur vet, apriori bashkëpunëtorët e tyre, të “pafajshëm”, para se, për ta, të vendosin organet e thirrura nga shteti për këto punë, si prokuroria dhe gjykatat e Kosovës”, thotë Qarri.
Sipas tij, Qeveria duhet që aksionet e tilla t’i realizon edhe në nivele të larta qendrore.
“Përkundër të gjithave, Qeveria e re, detyrë e të cilës është dhe mbetet vazhdimi i luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, jo vetëm që nuk guxon ti ndalojë dhe kufizojë aksionet e tilla vetëm në nivelet lokale, por duhet ti thellojë dhe zgjerojë ato edhe në nivele të mesme dhe të larta e qendrore, kudo që ka shenja dhe dyshohet se është prezent korrupsioni dhe krimi i organizuar, me të cilët qeveritë e kaluara, kanë izoluar komplet Kosovën nga bota e zhvilluar dhe mbyllë të gjitha rrugët, që qojnë vendin drejt integrimeve evropiane”, përfundon analisti politik, Gani Qarri.