Përzgjedhësi i Danimarkës, Kasper Hjulmand ka folur pas ndeshjes me Finlandën nga e cila u mposht me rezultat minimal 1-0, por që rezultati nga kjo ndeshje nuk ishte i rëndësisë primare për shkak të asaj që ndodhi me mesfushorin Christian Eriksen.
Mesfushori danez ra në tok dhe mbeti pa ndjenja, por intervenimi i shpejtë i stafit mjekësor bëri që të parandalohet më e keqja.
“Kjo mbrëmje u kujtoi të gjithëve atë që ka vërtet rëndësi në jetë. Marrëdhëniet e vlefshme njerëzore, njerëzit përreth nesh. Familja. Miqtë. Kemi një grup lojtarësh që nuk mund t’i lavdëroj mjaftueshëm”, ka thënë Hjulmand.
Më tutje, Hjulmand tregoi se UEFA iu propozoi që ndeshja të zhvillohej nesër më fillim nga ora 12:00, por ata zgjodhën që ajo të luhet sonte.
“UEFA propozoi opsionin e rifillimit të lojës nesër në 12, por në fund ne zgjodhëm të luanim gjithsesi sot”, përfundoi ai.