Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që sot Kuvendi i Shqipërisë të flasë me votë për shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Rama duke iu drejtuar Kuvendit, tha se duhet ta shpreh vullnetin e më shumë se 90 për qind të qytetarëve shqiptarë.
“Ilir Meta ka tradhtuar misionin e prresidentit, ka turpëruar popullin shqiptar në marrëdhënie me SHBA, ka zhgarravtur fytyrën e Shqipërisë në marrëdhënie me përfaqësuesit e bashkësisë demokratike ndërkombëtare në Shqipëri. Meta i ka humbur përfundimisht të gjitha shanset që i janë dhënë për t’u kthyer në binarët e arsyes ligjore. Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Metën, prandaj ky Parlament sot do të ushtrojë vullnetin e më shumë se 90 për qind të qytetarëve. Meta ka mbaruar punë dhe fjalët për të si president kanë mbaruar, tani të flasë parlamenti me votë”, tha Rama.
Një Komision Hetimor ka konstatuar se Meta ka shkelur 16 nene të Kushtetutës përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit dhe se ai duhet të shkarkohet një vit përpara se t’i përfundojë mandati.
Për shkarkimin e Metës duhen dy të tretat e votave dhe socialistët nuk i kanë numrat për ta arritur këtë prag. Mirëpo nëse ata arrijnë ta kalojnë propozimin e sotëm, atëherë miratimin përfundimtar duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë brenda një periudhe kohore prej tre muajsh.