Ministrat e Jashtëm të G7 pas takimeve dy ditore të zhvilluara në Londër kanë kërkuar që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Siç bëhet e ditur në faqen zyrtare të “European Western Balkans” , ku është e ditur deklarata e plotë e tyre, pas takimit, ky grup mes tjerash ka shprehur përkrahjen lidhur me reformat për procesit e anëtarësimit të Malit të Zi dhe Serbisë në BE.
Në fund të njoftimit, është potencuar se “çdo përpjekje për të minuar integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës përbën kërcënim për rajonin”.
Ata madje kanë deklaruar se spekulimet e pajustifikuara rreth ndryshimeve të kufijve përgjatë vijave etnike nuk janë zgjidhje për sfidat me të cilat përballet rajoni. Këto ndryshime thuhet në deklaratën e përbashkët se do të përbëjnë një kërcënim për sigurinë rajonale.
Deklarata e plotë e G7 rreth Ballkanit Perëndimor:
E konfirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për sigurinë, rimëkëmbjen ekonomike dhe perspektivën evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si një investim thelbësor për paqen dhe stabilitetin. E theksojmë rëndësinë e avancimit të reformave të nevojshme të brendshme, veçanërisht në sundimin e ligjit, duke përfshirë luftimin e krimit të organizuar, financave të paligjshme dhe korrupsionit, me veprime të ashpra të ndërmarra kundër rasteve më të rënda. E përkrahim hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne mbështesim progresin e mëtejshëm në bashkëpunimin rajonal veçanërisht përmes Tregut të Përbashkët Rajonal, Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Procesit të Berlinit. Ne i kërkojmë Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociata në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE dhe të normalizojnë plotësisht marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme që kontribuon në stabilitetin rajonal. Ne mbështesim zbatimin e agjendës së reformave në lidhje me negociatat e pranimit në BE me Malin e Zi dhe Serbinë. Ne u bëjmë thirrje vendeve në rajon të zgjerojnë hapësirën e brendshme politike dhe të përmirësojnë mjedisin për shoqërinë civile dhe mediat e pavarura.
Spekulimet e pajustifikuara rreth ndryshimeve të kufijve përgjatë vijave etnike nuk janë zgjidhje për sfidat me të cilat përballet rajoni. Ndryshime të tilla do të përbëjnë një kërcënim për sigurinë rajonale. Ne e hedhim poshtë vendosmërisht çdo përpjekje për të minuar integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës. U kërkojmë të gjitha palëve në Bosnjë dhe Hercegovinë të bien dakord dhe të zbatojnë reformat elektorale dhe reformat e kufizuara kushtetuese, për të zbatuar gjykimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe për të punuar ngushtë me Zyrën e OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisionin e Venecias për të quar vendin më afër realizimit të aspiratave të tij demokratike. Ne e mirëpresim kandidaturën e Christian Schmidt si Përfaqësues i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë.