“Dështimi i kolonizimit serb të Kosovës” është titulli i një dokumenti të vitit 1940, i shkruar Mosha Pijade, e që ruhet në Beograd në fondin e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ) me shifrën 1940/14-12, së bashku me “Tezat mbi çështjen nacionale” të hartuar nga autori në kuadër të përgatitjeve për Konferencën e Pestë të LKJ-së. Teksti i mëposhtëm është i përfolur. Përmbajtjen e plotë, në gjuhën serbokroate, mund ta gjeni: KËTU.
Komunisti serbo-hebre, bashkëpunëtori i ngushtë i Josip Broz Titos, Mosha Pijade, ka shkruar se termi historiko-gjeografik Kosovë përfshinë territorin e Rrafshit të Kosovës që shtrihet nga Mitrovica e Zveçani deri në Kaçanik, përfshirë edhe Drenicën. Ndërsa termi Kosovë, politikisht dhe etnikisht, përfshin krejt atë territor që Serbia dhe Mali i Zi e kanë pushtuar në vitet 1912-13. Këtu përfshihet edhe territori i Sanxhakut.
Pijade numëron metodat e shtypjes së shqiptarëve. Deri në vitin 1924, thotë ai, pushteti serb ka toleruar edhe një formacion partiak të myslimanëve që quhet “Xhemijeti”, të cilit i prijnë elementet feudale që iu duhen radikalëve serbë për mbulesë jo vetëm në Parlament, por edhe në terren. Sepse, kur aparati shtetëror serb ishte i dobët, detyrohej të bashkëpunonte me bajraktarë e koçobash fisesh të cilat kinse përfaqësonin pakicat kombëtare, por që, sipas tij, i shërbenin pushtetit serb si arsyetim për represionin të vazhdueshëm.
“Kur u forcua pushteti serb, u hodh me artileri… kundër çdo përfaqësuesi parlamentar të shqiptarëve”, thuhet në dokument. “Serbia, Kosovën e shndërroi në një territor tipik kolonial”.
Sipas tij, vazhdoi eksploatimi i pamëshirshëm i shqiptarëve, në mënyrat më barbare. Popullsia shqiptare, nëse nuk i llogarisim ata pak bejlerë dhe tregtarë turq e pak serbë, përbëhej kryesisht nga një numër i vogël zejtarësh e tregtarësh të imtë. Këtu as që mund të flitej për ndonjë akumulim të pasurisë. Kosova shfrytëzohet në të gjitha mënyrat e mundshme, ashtu si dhe Maqedonia. Kur ndahet buxheti i shtetit, për ato treva nuk mbetet asgjë.
Popullatës shqiptare ia kanë marr çdo burim të jetës. Pushteti serb i kolonizoi tokat më të mira.
“Ku nuk arrinte kolonizimi, arrinte nacionalizimi”, thuhet më tutje.
Të gjitha këto bëheshin që shqiptarët të dilnin jashtë kufirit. “Këto fakte mund të vërtetohen në të gjitha dokumentet serbe edhe sot e gjithë ditën”, thoshte Mosha Pijade.
Sipas tij, shumica dërmuese e fshatarëve janë çifçinj të pronarëve të mëdhenj të tokave, të bejlerëve e agallarëve, të kishave, manastireve e të vakëfeve… Qeveria serbe ka krijuar edhe të ashtuquajturin “Fondi kolonizues i tokës”. Një pjesë e kolonëve nuk janë në pozitë të keqe. Ata i ndihmon bashkësia agrare e shtetit, por shumë prej tyre nuk ia kanë dalë të qëndrojnë. Ka hile të mëdha edhe me rastin e ndarjes së tokave për ta. Në shumë raste kanë dështuar vendbanime të tëra kolonësh.
Për të kolonizuar e nacionalizuar Kosovën, pushteti nga njëra anë përpiqet që shqiptarët t’i detyrojë të largohen, ndërsa ata që ndjehen turq e myslimanë i detyron të shesin pronat me çmime qesharake dhe i shpërngul për në Turqi. Në anën tjetër e forcon aparatin e shtypjes dhe terrorit. Policia dhe xhandarmëria kanë pushtet të pakufizuar. Shërbimet publike janë të korruptuara. Kur nuk kanë çka marrin mbledhësit e tatimeve, marrin lirat e fundit të arit që rastësisht ndonjë grua i mban rreth qafës.
Askund në Jugosllavi nuk ka pasë terror si në Kosovë ku janë djegur e rrafshuar me tokë fshatra të tëra nga ushtria. Serbët përditë i vrasin njerëzit më të dalluar në mesin e shqiptarëve.
Nga Shkupi e deri në Beograd, por edhe më larg, mund të hasësh shqiptarë që mundohen të gjejnë ndonjë punë. Ata zakonisht kryejnë punët më të rënda fizike dhe jetojnë në kushte të padurueshme.
Përveç pak shkollave fetare myslimane dhe disa shkollave të kishave për shqiptarët katolikë rreth Prizrenit, në Kosovë ka shkolla veç në gjuhën serbe. Për të hapur shkolla të mesme në gjuhën shqipe, popullata shqiptare as nuk guxon të mendojë. Numri i atyre shqiptarëve që shkojnë në shkollat serbe është tepër i vogël dhe ata zakonisht janë fëmijë të bejlerëve e të tregtarëve.
Shqiptarët në vitin 1920 i larguan trupat e italiane nga Vlora, ndërsa shqiptarët e Kosovës me forca të veta në vitin 1921 filluan kryengritjen e cila u shua me gjak. Pasi pushteti serb shqiptarëve ua ka marr të gjitha burimet e të ardhurave, tokën e bagëtinë, atyre shpirti i u ka ardhur në hundë dhe nuk kanë rrugë tjetër pos rezistencës apo vjedhjes. Kështu, në lëvizjen e kaçakëve vështirë mund të dallohet kush është kryengritës e kush hajn. Ata kanë të njëjtin motiv për të luftuar pushtetin serb. Ata mund të krahasohen me kaçakët e hajdutët serbë nga koha e Karaxhorxhit.
Shqiptarët akoma jetojnë në lidhje fisnore, ndërsa janë nën ndikimin e Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” që ka për detyrë të luftojë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ky Komitet mund të krahasohet me VMRO-në e Maqedonisë, por format e aktivitetit janë pak më ndryshe. Komiteti kishte më shumë lidhje fisnore e familjare se VMRO. Shqiptarët e Kosovës akoma kanë kontakte të vazhdueshme me shqiptarët e Shqipërisë. Padyshim se ka tendenca që ata të heqin dorë nga rezistenca anarkike dhe të fillojnë luftën për çlirim nacional e social përmes formave ma moderne. Emigracioni shqiptar nga Kosova, që ka gjetur strehë në Shqipëri, me terë forcën përkrah planin e bashkimit kombëtar i cili do të përfshinte edhe trevat e banuara me shumicë shqiptare që tash janë koloni e Serbisë. Çështja nacionale e Kosovës, është çështje e shqiptarëve.
Organizimi i lëvizjes nacionale mund të arrihet vetëm duke u liruar nga marrëdhëniet feudale e fisnore dhe me formimin e Republikës punëtore-fshatare të Kosovës, duke rrëzuar regjimin imperialist serbomadh.