Vijon procesi i numërimit të votave në shumicën e qendrave te numërimit në Shqipëri, ndërsa po dalin edhe rezultatet e para. Rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote u thirrën në votime për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Për të ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësit u paraqiten në 5199 Qendra Votimi.
Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Për herë të parë në Shqipëri po aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi u instaluan pajisje elektronike, të cilat kryen identifikimin elektronik të zgjedhësve.
Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit votuan për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit u identifikua nga një numër e jo emri i tij. Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë.
Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë. Zgjedhjet e 25 Prillit u zhvilluan në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së COVID-19.
Ora 17:50– Deri më tani janë numëruar 2988 kuti. PS ka 422988 vota ose 48.9%, PD ka 339667 vota ose 39.3%, LSI 60135 vota ose 7.0%, PSD 18197 vota ose 2.1%. Diferenca mes dy poleve është 2.5%. Me mandate, sipas projeksioneve PS ka deri tani 76 mandate, PD 57, LSI 5 dhe PSD 2.