30 vjet pas zgjedhjeve të para pluraliste dita e zgjedhjeve në Shqipëri ende nuk është një ditë normale, mijëra policë do e sigurojnë mbarëvajtjen e tyre. Polarizimi i skajshëm mes partive çon në tensione gjatë fushatës.
Finalja e një fushate zgjedhore të pazakontë në Shqipëri. Për shkak të pandemisë mungojnë inskenimet e dikurshme të fushatave zgjedhore me disa mijëra vetë, me slogane buçitëse politike dhe muzikë që do duhet të ndezë emocionet. Në vend të kësaj partitë kujdesen për takime të drejtpërdrejta me elektoratin, inskenimet kanë kaluar në kanalet e mediave sociale.
Zgjedhje në një vit jubile
Zgjedhjet e 9-ta pluraliste në Shqipëri më 25 Prill zhvillohen në një vit jubile. Para 30 vjetësh, Shqipëria, Koreja e Veriut të Europës organizoi zgjedhjet e para pluraliste. Një vend, ende i paralizuar dhe traumatizuar nga diktatura komuniste nisi rrugën e kthimit në Europë, ashtu siç u dëgjua thirrja e një populli të tërë atëkohë: “E duam Shqipërinë si Europa”. Por kjo dëshirë e zjarrtë për Europën e një populli të izoluar në vitet e mëvonshme duhej të përballej me realitetin e një vendi pa përvojë demokracie.
Të sapodalë nga izolimi, shqiptarët mbërrijnë në Marsejë, 15.07.1990
Megjithatë Shqipëria ka ndryshuar në tre dekadat e fundit, hedh vështrimin pas, ekspertja për Ballkanin, Johanna Deimel. “Nga grija e errët u krijuan premisat demokratike dhe ato të shtetit ligjor, u rrit një shoqëri civile, edhe një peizazh mediatik i lirë dhe pluralist mundi të themelohej. Për të qëndruar tek ngjyrat, do të thoja se sot ka disa ngjyrime. Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe tani, edhe pse me vonesë do të fillojë bisedimet e anëtarësimit, edhe kjo shenjë e ndryshimeve pozitive. Por për fat të keq Shqipëria prej shumë vitesh për shkak të konfrontimit tejet të madh mes dy partive të mëdha është rënduar në mënyrë ekstreme dhe në të njëjtën kohë është frenuar në zhvillimin e saj demokratik dhe të shtetit ligjor.”
Tirana 1990
Politika sundon gjithçka
Konfrontimi i vazhdueshëm në Shqipëri e përplasja e ashpër mes partive kryesore sikur të jenë dy blloqe armiqsh për analistin gjerman, Thomas Brey lidhet me mungesën e kulturës politike. “Bëhet degradimi i kundërshtarit politik, eliminimi si kundërshtar, madje ndoshta edhe sulmi fizik ndaj tij. Këto janë gjëra që nuk përfytyrohen dot në Evropën Perëndimore. Kultura politike mungon, sepse politika në vendet e Ballkanit është një biznes, ti mund të bëhesh dikush si person dhe të ecësh përpara me oportunizëm kur hyn në politikë. Kush dëshiron të bëhet dikush edhe në profesion në këto vende duhet të arranzhohet me të fuqishmit e t’i mbështesë ata. Ky nuk është problem tipik i Shqipërisë, por e ndesh kudo në Ballkan.”
Analisti Thomas Brey
Ka një karakteristikë sistemi politiko-shoqëror në Shqipëri, por edhe në Europën Juglindore, sipas analistit gjerman. Politika sundon e kontrollon gjithçka, sipërmarrjet, mediat, drejtësinë, infrastrukturën, etj. “E për shkak se politika kontrollon pa dallim të gjitha hapësirat e jetës publike, atëherë edhe privatisht ti fatin tënd mund ta gjesh nëse bëhesh pjesë e sistemit. Për shkak se nga kjo preken çështja e ekzistencës, atëherë bëhet gjithçka, që të jesh pjesë e sistemit. Kjo do të thotë në anën tjetër, që unë duhet të bllokoj e nxjerr nga loja këdo që më pengon mua të përfitoj nga ky sistem politik.”
Prandaj për eksperten gjermane Johanna Deimel ka një moto që duhet ndryshuar në Shqipëri. Motoja duhet të jetë “kush fiton zgjedhjet ka përgjegjësinë për një të ardhme më të mirë” dhe jo “kush fiton zgjedhjet atij i përket i gjithë vendi.”
Dr. Johanna Deimel
Vite turbulencash politike
Në vitet e fundit ky polarizim mes dy vendimmarrësve të mëdhenj të politikës shqiptare që nga rënia e diktaturës, Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike kulmoi në dimensione të reja, duke krijuar jo vetëm një klimë politike të helmuar, por edhe tejet penguese për zhvillimin e vendit e afrimin me BE. Vitet e fundit opozita ngriti akuza të rënda kundër qeverisë së PS, për blerje votash, për lidhje me krimin e organizuar, dhe manipulim të zgjedhjeve të vitit 2017. Pasuan protesta të opozitës së bashkuar të Partisë Demokratike dhe asaj të Lëvizjes Socialiste për Integrim, LSI, dorëzimi i mandateve parlamentare të opozitës, bojkotimi i zgjedhjeve lokale 2019, dhe kërkesa të përsëritura për dorëheqjen e kryeministrit Rama. Drejtësisë që duhej të zbardhte akuzat iu desh të merrej më shumë me veten këto vite, pas reformës më të madhe të kryer ndonjëherë në drejtësi, vetingun dhe nxjerrjen nga drejtësia të të korruptuarve.
Vetëm pas një ndërmjetësimi të intensifikuar të BE e SHBA dhe reformimit të Kodit Zgjedhor, me bashkëpunimin e pozitës, opozitës së re e opozitës jashtëparlamentare u arritën vitin e kaluar ndryshimet që do duhej të sigurojnë këtë herë zgjedhje më të lira e të ndershme. Në një intervistë për Deutsche Wellen, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi thotë se këto ndryshime ofrojnë më shumë siguri për një proces zgjedhor me integritet. Edhe përdorimi i sistemit të identifikimit biometrik të zgjedhësve që është një garanci më shumë për integritetin e procesit të votimit, sipas tij. “Kjo është pozitive, duket sikur në zgjedhjet e 25 prillit, të paktën në aspektin teknik, po shkojmë me dakordësi të plotë të të gjitha palëve. Mendoj se zgjedhjet parlamentare 2021 përbëjnë rastin për një kthesë domethënëse në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri.”
Protesta kundër qeverisë, qershor 2019
Fushata e tensionuar
Dita e zgjedhjeve në Shqipëri, 30 vjet pas rënies së diktaturës është larg të qenit një ditë normale si në një vend të BE. E veçanta e këtyre zgjedhjeve më 25 Prill është, “nëse Shqipëria do të tregohet e aftë të organizojë zgjedhje normale”, thotë Afrim Krasniqi, drejtor i Instiutit të Studimeve Politike në Tiranë. “Me këtë do të plotësohej edhe një kusht i rëndësishëm për konferencën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë me BE për çeljen e negociatave.”
Por sa normale është, kur 7.500 policë, sipas autoriteteve, do të garantojnë mbarëvajtjen e zgjedhjeve, ky është një tregues tjetër i asaj që dita e zgjedhjeve është larg normalitetit. Madje së fundmi tonet e fushatës zgjedhore janë ashpërsuar, armiqësia politike dhe denigrimi i rivalit politik mjegullojnë faktet dhe argumentat. Edhe incidenti i fundit elektoral në Elbasan që përfundoi me vdekjen e një personi është sinjal jo i mirë i rritjes së tensioneve politike në prag të zgjedhjeve të dielën. Të dyja partitë, PS dhe PD në lidhje me incidentin e Elbasanit akuzojnë njëra-tjetrën se po nxisin dhunën.
Por ka edhe një arsye tjetër pse duket se shenjat janë për stuhi. Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi thotë se “njëlloj si në vitin 2009, kjo është një fushatë ku diferencat mes dy blloqeve kryesore janë minimale. Rezultati në çdo rast do të jetë shumë afër njëri-tjetrit… Të gjitha sondazhet që janë bërë nga kompani të ndryshme, pavarësisht diferencave që kanë midis palëve në thelb pranojnë që diferenca do të jetë minimale dhe për shkak të sistemit, i cili nuk e përkthen gjithmonë votën në mandate, mund të ndodhë që partia fituese në proporcional kombëtar të mos jetë partia mazhoritare në mandate, atëherë…kjo nuk na lejon të kemi një hendek të madh si e kemi pasur në zgjedhjet e kaluara.” Politologu, Afrim Krasniqi nuk pret ndryshime të mëdha në elitat politike pas zgjedhjeve në Shqipëri, sepse nëse pritet që rezultati të dalë i ngushtë, do të thotë që të gjithë liderët politikë do t’i mbijetojnë rezultati zgjedhor.”
Drejtori i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi
Kryeministri socialist, Edi Rama kërkon një mandat të tretë, kjo do të ishte një risi në Shqipëri, pasi asnjë parti nuk e ka arritur këtë më parë në Shqipëri. Sipas analistit gjerman, Michael Weichert, koalicioni i drejtuar nga socialistët ka “një shans të mirë të fitojë zgjedhjet, nëse ia del që të angazhojë shtresa të tjera të shoqërisë përtej bërthamës së njohur të përkrahësve të saj.” Ndërsa për Partinë Demokratike nën Lulzim Bashën bëhet fjalë për më shumë, thekson ai. “Ose opozita e drejtuar nga Partia Demokratike ia del të fitojë këto zgjedhje, ose partia e sidomos lidershipi i saj do të dëmtohen rëndë.”
Imazhi i “njeriut të veprimit” përballë imazhit “të ndryshimit”
Në metrat e fundit të fushatës zgjedhore partitë përpiqen të bindin sa më shumë zgjedhës me premtime e forcimin e imazhit të liderëve të tyre. Partia Socialiste në qeveri përpiqet të fitojë pikë duke forcuar imazhin e asaj që ka një kryeministër që vepron, sidomos me fushatën masive të vaksinimit të filluar në Shqipëri e të shoqëruar nga imazhe mediatike të politikanëve që presin mbërritjen e dozave të vaksinës. Kurse opozita e Partisë Demokratike nën Lulzim Bashën përpiqet të sfidojë socialistët e të mbledhë votat e të pakënaqurve duke u paraqitur si partia e ndryshimit, partia që do ta çlirojë vendin nga kthetrat e korrupsionit e krimit të organizuar. Edhe LSI, që pret koalicion paszgjedhor me PD, pas shigjetimeve të keqqeverisjes aktuale premton ndryshim, punësim, dhe mbajtjen e njerëzve në vend e moskthimin e shqiptarëve në azilkërkues. Karakteristike e fushatës janë disa parti të reja të vogla që sjellin një frymë të re, por nuk duket se ato kanë gjasa të thyejnë pushtetin e partive të mëdha.
Më 25 Prill Shqipëria nuk voton vetëm, por edhe vendos, nëse do të arrijë kthesën e shpresuar, që të zhvillojë zgjedhje të lira duke i dhënë fund historisë së zgjedhjeve të kontestuara në Shqipëri apo historia konfliktuale do të përsëritet. Një gjë dihet: Ndoshta qytetarët shqiptarët janë të ndarë, se kujt do t’ia japin votën më 25 Prill, por në një çështje janë të gjithë bashkuar. Ata duan një politikë konstruktive, duan që vendi të çlirohet nga polarizimi paralizues i viteve të fundit.