Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kritikuar mënyrën e zgjedhjes së presidentes së re të Kosovës duke thënë se u bë me pazare.
Ai i ka quajtur të pafytyrë politikë ata deputetë që dolën kundër vendimeve të partive të tyre dhe i akuzoi se tradhtuan votat e tyre.
“Siç e kemi parë janë bërë pazare me deputetë. Si AAK kemi pasë kandidatin tonë për president dhe qëndrimet tona për këtë çështje dhe del një deputet kundër vendimeve tona të kryesisë dhe elektoratit. Po thuhet, s’jam dëshmitar, por dihet që ka pare dhe poste”.
Berisha ka thënë se pazaret e tilla nuk po bëhen për herë të parë, por se një metodë e tillë ishte kritikuar zëshëm nga Vetëvendosja, të cilën ai po e akuzon se veproi në këtë mënyrë.
“I kanë blerë. Kjo është pafytyrësi politike. Këta deputetë e kanë tradhtuar votën e elektoratit të vet. Kësaj here ndodhi te AAK-ja. Nuk më ka befasuar veprimi i saj (Albena Reshitajt), por ka plot njerëz që e kanë votuar dhe që kërkojnë ta kthejnë mandatin”, tha ai në Klan Kosova.
Berisha për bashkëpartiaken e tij tha se nëse ka vendosur t’i marrë benefitet nga ky pazar, sipas tij, le ta bëjë, por se mandati duhet të kthehet në parti.
“Njihem në opinion si njeri që nuk hyj në këto lloj pazare. Ata shkojnë te njerëzit me karaktere më të dobëta. Krejt Kosova e di që ne e kemi një qëndrim dhe e mbajmë atë”.