Njohësi i rrethanave politike në vend, Arton Demhasaj, vlerëson se është e vështirë që lidershipi i LDK-së, të bind Agim Veliun dhe Driton Selmanaj për t’ia bërë kuorumin Vjosa Osmanit për presidente.
Ndërkaq, për Avdullah Hotin, thotë se është më e lehtë të bindet, pasi që sipas tij, ky i fundit është figurë më e bindshme karshi lidershipit të LDK-së.
“Mendoj që goxha e vështirë ka me qenë për LDK-në dhe lidershipin e partisë me bind sidomos kur flasim për Agim Veliun dhe Driton Selmanaj, që me qëndru në sallë kur votohet presidenti. Ndoshta për Avdullah Hotin mendoj që edhe mund të bindet është figurë pak më e bindshme dhe besoj që është më e dëgjueshme karshi lidershipit, të paktën kështu ka treguar edhe në të kaluarën. Po sa i përket zotëri Veliut dhe Selmanaj besoj që ka me qenë goxha e vështirë me i bind që me qëndruar në sallë”, thotë ai për GazetaBlic.
Demhasaj, shton se edhe Behgjet Pacolli vështirë që bindet. Kurse, sa i përket PDK-së dhe Aleancës, ai thotë se nuk pret që këta të fundit të qëndrojnë në sallë, ditën e zgjedhjes së Osmanit presidente.“Njëkohësishtë mendoj që goxha e vështirë ka me qenë për deputetin e AKR-së, që është në kuvend Behgjet Pacolli. Nuk pres që dikush prej PDK-së apo edhe prej Aleancës që kanë me qëndru në sallë, përshkak të qëndrimeve të tyre publike që i kanë pasur dhe i kanë shprehur.Rasti i Xhavit Halitit mendoj që mund me ndodhë në rast se janë 79, deputetë Xhaviti me qenë i 80-ti”, thotë ai.
Tutje, ai deklaron se javën e ardhshme pret që të thirret seanca.
“Pres që javën e ardhshme me u thirr seanca e jashtëzakonshme dhe me fillu menjëherë”, deklaron ai.Ndryshe, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me kryesinë kanë vendosur që ditën e zgjedhjes së presidentit të qëndrojnë në sallë, derisa i ka bërë thirrje deputetëve të LDK-së, që t’i lënë anash inatet personale dhe të kryejn obligimin moral, që të qëndrojnë në sallë.