Prokuroria e Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë kundër krimeve ekonomike kanë realizuar sot një operacion me ç’rast kanë prangosur katër persona me dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Telekomin e Kosovës.
Armend Osaj, Trim Musliu, Kushtrim Musliu dhe Denis Ceman, janë katër personat e arrestuar.
Burimet e IndeksOnline kanë thënë se njëra nga veprat për të cilën ata dyshohet është keqpërdorimi i mjeteve në një projekt të madh.
“Të dyshuarit kanë marrë nga një furnizues mbi 200 mijë euro telefona për t’ua shpërndarë konsumatorëve, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë”.
Përveç këtij rasti ata dyshohen edhe për disa raste të tjera ku hetimet ndaj tyre ende po vazhdojnë.
“Policia e Kosovës, me urdhëresë të Gjykatës kompetente ka realizuar një operacion policor, i cili ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar, mbi dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Operacioni policor është realizuar në rajonin e Prishtinës, ku pas kompletimit të rastit do të jepen informacione shtesë”, thuhet në përgjigjen e policisë për IndeksOnline.