Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, së fundmi ka dhënë dorëheqje nga AAK, ku tash e sa vite ishte pjesë e saj.
Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ai ka treguar arsyen që e ka shtyrë deri tek largimi nga AAK, e cila thootë se ka ardhur nga pakënaqësitë e shumta, duke filluar nga zbatimi i ligjit për Obiliqin, si dhe mos punësimi në KEK.
Lidhur me atë se a do të kandidojë përsëri në zgjedhjet lokale, Gashi ka thënë se këtë do e vendosin qytetarët e komunës.
Sa i përket bashkimit në ndonjë parti, ai ka thënë se aktualisht do të vazhdojë si i pavarur, derisa mendon formimin e një iniciative qytetare me fokus nivelin lokal, e cila do të jetë e hapur për kuadro të reja e profesioniste.
I pyetur lidhur me zgjidhjen e presidentit dhe mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja, ai ka thënë se ato duhet të shmangen dhe partitë duhet të gjejnë konsensus, pasi zgjedhjet e fundit tregojnë qartë se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga zgjedhjet.
Gashi gjithashtu tregon edhe ndryshimet që i ka bërë në komunën e Obiliqit, ai ka përmendur disa si ndërtimin e parqeve, shesheve publike, shkollave, madje edhe Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri”, ashtu edhe shpërndarje mbi 1000 bursa për studentët dhe nxënësit e komunës, po ashtu dhe investime në bujqësi.
Ai gjithashtu ka folur edhe rreth menaxhimit të pandemisë në këtë komunë, derisa ka thënë se ka koordinuar të gjitha veprimet tona për një situatë në kontroll, shndërrimin e objektit ndihmës të QKMF-së në ambulanten antiCovid-19, po ashtu edhe subvencione për qytetarët e prekur nga COVID-19.