Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve dhe u.d. presidentja Vjosa Osmani, janë duke vazhduar takimet me përfaqësuesit e partive politike në vend.
Gjersa dje ishin takuar me përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së, sot takimet vazhdojnë me partitë e komuniteteve pakicë.
Pas takimit u.d. i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tregoi se ishin shtruar një mori parimesh për Kurtin e Osmanin, të cilat një president i ri i ardhshëm i Kosovës duhet t’i përfaqësojë, ndërsa kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u shpreh se është detyra e Kurtit dhe Osmanit t’i sigurojnë 2/3 e votave për zgjedhjen e presidentit.
Gjersa takimet vazhdojnë, nga Lëvizja Vetëvendosje apo edhe partitë tjera pjesëmarrëse në takim, nuk kanë treguar nëse veç ka pasur ndonjë propozim të mundshëm, që të deputetët të jenë në sallë për të votuar presidentin e ri.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se në takimin e djeshëm nuk kanë pasur ndonjë propozim nga lideri i VV-së për t’i hapur rrugë çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri.
Të pyetur nga Ballkani.info, nëse kreu i AAK-së do të pranonte postin e krye parlamentarit që t’ua sigurojë votat për zgjedhjen e presidentit, thonë se nuk kanë marrë një propozim të tillë.
Nënkryetari i AAK-së dhe tashmë deputet i zgjedhur nga kjo parti, Pal Lekaj, ka thënë se AAK-ja do të shqyrtojë çfarëdo propozimi që merr nga kreu i VV-së.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dje nuk ka pranuar ndonjë propozim që do t’i jepte zgjidhje qeverisë për postin e presidentit, përveçse është diskutuar për bashkëpunim për temat me rëndësi nacionale. Neve nuk na është propozuar që posti i kryeparlamentarit t’i takoj z.Haradinajt, kësisoj nuk mund të flasim në këtë kohë, por nëse veç marrim një propozim të tillë, atëherë do ta shqyrtojmë në institucionet tona të partisë”, ka deklaruar Lekaj për Ballkani.info.
Sipas tij, sovrani ua ka dhënë shumicën për krijimin e qeverisë, por jo 2/3 për presidentin, prandaj ata nuk janë fontanë dëshirash që t’ua sigurojnë votat partive politike.
“Në zgjedhjet e 14 shkurtit sovrani ua ka dhënë shumicën Lëvizjes Vetëvendosje dhe listës së Vjosa Osmanit për krijimin e qeverisë, por jo 2/3 për presidentin, kësisoj ata le t’i sigurojnë votat siç dinë, ne si Aleancë nuk jemi fontanë dëshirash që t’ua sigurojmë votat partive politike”, ka shtuar Lekaj.