Mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës ka nisur një aksion në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Aty janë arrestuar disa zyrtarë të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, përfshirë edhe ushtruesin e detyrës së kryeshefit, Agim Nuha.
Prokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi ka mbajtur sot konferencë për media lidhur me aksionin policior i cili është duke u zhvilluar edhe në disa qytete të vendit.
“Sot në orët e mëngjesit kemi sekuestruar vetura, para llaptop dhe çanta, ndërsa gjatë këtij aksioni janë arrestuar 12 persona, dy qytetarë që u kanë ndihmuar dhe 10 zyrtarë që të njëjtit dyshohen për disa vepra penale për marrje dhe dhënie të ryshfetit”, ka thënë ai.
Lumezi shtoi se në bazë të provave ky aksion do të zhvillohet edhe në ditët e ardhme që të sigurojmë prova të sigurta.
Drejtori i Krimeve Ekonomike dhe Kundër Korrupsionit, Nazim Sahiti ka deklaruar se në këtë aksion janë sekuestruar afro 400 mijë euro.
“Sot gjatë ditës nga Drejtoria për Krime dhe Kundër-Korrupsion janë sekuestruar një shumë e madhe e parave, diku afër 400 mijë euro. Saktësisht ende nuk e dimë por sillen aty diku”, deklaroi ai.