Në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit të Rezultateve, me disa rekomandime edhe për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve, ka njoftuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Elezi ka thënë se QNR-ja ka ardhur te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur ta kalojnë procesin e auditimit.
“Mund t’ju konfirmoj se në mbledhjen e sotme të KQZ-së do të paraqitet një raport nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve me disa rekomandime për rinumërim të rreth 500 vendvotimeve dhe natyrisht se anëtarët e KQZ-së do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendim meritor”, tha Elezi.
Sipas Elezit, QNR-ja ka ardhur deri te këto rekomandime pasi këto vendvotime nuk kanë mundur të kalojnë procesin e auditimit.
“Arsyet janë të ndryshme dhe kryesisht kanë të bëjnë me bartjen e gabuar të votave në formularin e subjekteve politike dhe formularin e kandidatëve; si dhe për shkak se në një numër të madh të vendvotimeve kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik”, tha tutje Elezi.
KQZ-ja pritet të mbajë mbledhjen sot nga ora 13:00.