Partitë që humbën zgjedhjet në Kosovë PDK dhe LDK kanë deklaruar, se do të kalojnë në opozitë, kurse partia AAK nuk ka vija të kuqe. Si do të veprohet tani për formimin e qeverisë së re?
Përkrahësit e Vetëvendosjes festojnë në Prishtinë, 14 shkurt 2021
Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ, ku partia e tij fitoi një shumicë të thellë prej rreth 49% të votave, tha se zgjedhjet e së dielës ishin një “referendum për drejtësi e punë, e kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit” refendum ky që u fitua. Kurti këtë fitore e cilësoi “diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”. “Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por, do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit dhe kudo, pra drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për lëvizjen Vetëvendosje, kjo është fitorja juaj, prandaj secili prej nesh duhet të marrë përgjegjësinë që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë ashtu siç është i dashur për të gjithë”, tha Albin Kurti i cili në këtë konferencë për medie shoqërohej nga pretendentja për postin e presidentes Vjosa Osmani.
Kurti: Jo prioritet bisedimet me Serbinë
Kurti tha se bisedimet me Serbinë nuk janë prioritet i tij, por, tha se “prioriteti është drejtësia dhe punësimi”. Sipas rezultateve preliminare lëvizja Vetëvendosje nuk ka mundur të sigurojë një shumicë prej 61 deputetësh në parlament për të themeluar e vetme qeverinë. Një bashkëpunim me partitë e tjera, përfshirë këtu edhe pakicat është i domosdoshëm për të zgjedhur presidentin e ri të vendit, ku prezenca e deputetëve në sallë duhet të jetë më së paku 80, apo dy të tretat nga 120 vende sa i ka parlamenti.
Humbësit urojnë Albin Kurtin për fitoren
Nga ana tjetër tre partitë politike që humbën në këto zgjedhje përballë Vetëvendosjes, LDK, PDK dhe AAK e uruan zotin Kurti për fitoren. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, thanë se ato do të qëndrojnë në opozitë. Ish- kryeministri Ramush Haradinaj tha se AAK, “nuk ka vija të kuqe as për Vetëvendosjen e as për ndonjë subjekt tjetër politik”.
Kurse kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për postin e kryeministrit, Avdullah Hoti, tha se e merr përsipër përgjegjësinë për rezultatet e kësaj partie. “Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha zoti Hoti.
Ndërkohë edhe vet kryetari i LDK Isa Mustafa bëri të ditur se ai do të tërhiqet nga posti i ,kryetarit të partisë dhe se së shpejti do të zgjidhet një kryetar tjetër si dhe kryesia e re e LDK.
Edhe kandidati i PDK për postin e kryeministrit Enver Hoxhaj, tha se partia e tij do të qëndrojë në opozitë. “PDK-ja nuk do jetë pjesë e qeverisë, meqë ne kemi dallim të madh në orientimet tona politike, dhe jemi shumë larg njëra tjetrës dhe nuk bëjmë kompromis mbi vlerat që është ndërtuar dhe mbi të cilat qëndron PDK. Kosova ka nevojë për stabilitet, dhe ne zotohemi si PDK që të jemi faktor i stabilitetit nga pozita e partisë kryesore në opozitë”, tha Enver Hoxhaj.
Sfida mbetet – dialogu me Serbinë
Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, ka përsëritur, se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij. Por ndryshe mendojnë analistët politikë në Kosovë. Sipas tyre, sfida e parë, me të cilën do të përballet qeveria e re është pikërisht dialogu me Serbinë. I ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi Mirosllav Lajqak, tha se ai “po shikon përpara që të punojë me qeverinë e re të Kosovës në vazhdimin e dialogut me Serbinë”. “Zgjedhjet e djeshme në Kosovë demonstruan maturi të institucioneve të saj, të gjithë aktorëve relevantë dhe partive politike. Qytetarët kanë bërë që zëri i tyre të dëgjohet dhe po shikoj para të punoj me qeverinë në ardhje në vazhdimin e dialogut”, shkroi Lajçak të twitter.
Procedura pas zgjedhjeve
Në Kosovë janë numëruar ndërkohë 99% e votave. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ, pas përfundimit të këtij numërimi u shpreh, se nevojiten edhe disa ditë deri në shpalljen e rezultateve përfundimtare, për faktin që akoma nuk janë numëruar votat e diasporës dhe ato me kusht.
Procedura e pritshme tani është konstituimi i Kuvendit të ri të Kosovës pas certifikimit të rezultatit zgjedhor, gjë që mund të marr deri në një muaj kohë. Pastaj ushtruesja e detyrës së presidentes e mandaton fituesin e zgjedhjeve që të formojë qeverinë. Mandatari i parë për formimin e qeverisë ka afat 15 ditë që ta formojë qeverinë. Nëse ai nuk arrin të sigurojë 61 vota, atëherë, presidenti dekreton një tjetër mandatar, i cili ka një afat ligjor prej dhjetë ditësh për formimin e qeverisë së re.
Për të mbijetuar qeveria e re, duhet të sigurohet se do të ketë mbështetjen e dy të tretave të votave në Kuvend, sepse në në prill të këtij viti, duhet të fillojnë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Kushtetuta e Kosovës e përcakton se presidenti duhet të zgjidhet me të paktën 61 vota në raundin e tretë, por kërkon që në procesin e votimit, të pranishëm në sallë duhet të jenë të paktën 80 deputetë. Presidenti i ri duhet të zgjidhet brenda afatit prej 60 ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes dhe nëse kjo nuk sigurohet, atëherë vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja.