Në një kohë kur kanë mbetur edhe pak ditë nga fundi i vitit 2020, secilit prej nesh mund t’i vijnë në mendje shumë ngjarje nga këto 12 muaj – të vështirë, torturues, sakrifikues, që me siguri na kanë stërvitur më shumë të gjithëve.
Nëse gjatë këtyre ditëve, edhe ju po përpiqeni të bëni një lloj bilanci të asaj që keni lënë mbrapa dhe keni marrë lapsin për të shkruar pritshmëritë, ndaluni për pak dhe kushtojuni pak kohë disa personazheve që, ndryshe nga të gjithë, këtë vit kanë qenë më të angazhuar se të tjerët dhe, ç’është më e rëndësishmja, fare pa zhurmë, pa bujë e pa reklama të mëdha, na kanë dhënë dorën sa kanë mundur dhe na kanë bërë krenarë të gjithëve.
Në kushtet e tyre, me të gjitha mundësitë, madje edhe luksin (nëse doni ta quani kështu), kushdo nga ne do të shijonte jetën e vet, fatin e madh, dhe pakkush do të shikonte çfarë ka lënë mbrapa, sa shumë njerëz ka që vuajnë e sa shumë nevojë ka vendi i lindjes për ndihmë. Sidomos në një situatë si kjo – kur lutja për të qenë afër me ç’të mundesh është edhe më e madhe. Por Rolando Lekaj dhe bashkëshortja e tij Teresa kanë pasur të tjera qëllime gjatë këtij viti të mbrapshtë për të gjithë, por sidomos për Shqipërinë. Pa e menduar gjatë dhe pa mëdyshjen më të vogël, iu gjendën këtij vendi me mjete spitalore në nisje të pandemisë, po edhe u qëndruan pranë shumë familjeve e njerëzve në nevojë në një kohë të vështirë. Arsyeja? Ai, sepse e ka gjithmonë kokën pas, sado larg e lart të ngjitet, ndërsa e shoqja, jo vetëm sepse ka emrin e Nënës së Madhe, por sepse ka edhe zemrën po aq të madhe sa Teresa jonë.
Mes shumë impenjimeve, shumë projekteve të rëndësishme që kanë mbyllur gjatë këtij viti dhe shumë të tjerave që pritet të nisin vitin e ardhshëm, Rolando dhe Teresa, me mirësinë që i karakterizon gjithmonë dhe gatishmërinë e pashoqe, u ndalën për disa minuta në një bisedë me revistën Class, për të rrëfyer ekskluzivisht një pjesë të historisë së tyre të suksesit dhe të dashurisë – mahnitëse për nga përkushtimi dhe magjike nga përjetimi.
Pas një pasurie të madhe, ka edhe një histori suksesi të madhe. Si ka nisur i gjithë rrugëtim i gjatë deri në Kinën e ëndrrave?
Ka kaluar shumë kohë që nga hapat e parë, por kujtoj gjithçka që nga fillimet. Karrierën e kam nisur kur isha ende i ri në qytetin tim, në Lezhë. U bëra pjesë e Miss dhe Mister Lezha në vitin 2007. Që aty nisi gjithçka. Kuptohet, ishte e vështirë të ndiqje një rrugë spektakli për shkak edhe të situatës situatës ekonomike në familje. Megjithatë, prindërit e mi kanë bërë të pamundurën për të na e bërë jetën të lumtur. Falënderoj Zotin që kam pasur një familje të mrekullueshme. Unë, vëllai dhe motra ime jemi mirënjohës për prindërit tanë. Na edukuan dhe bënë gjithçka që ne të mos na mungojë asgjë.
Si e ndjen veten kur të gjithë të quajnë “pasaniku më i ri i Shqipërisë”?
Në fakt, unë si fillim jam një djalë i mirë për prindërit e mi, një vëlla, një burrë dhe një baba i mirë. Jam gjithashtu edhe mik i mirë për miqtë e mi. Jam një biznesmen kur bëhet fjalë për biznesin, por pas kësaj jam një showman kur vjen puna për show. Gjithçka duhet të kombinohet në mënyrën më të mire, përndryshe nuk ka kuptim dhe nuk je askush. Unë gjithmonë e vendos familjen të parën para gjithçkaje. Kjo është motoja që më ka shoqëruar në jetë.
Çfarë mund të kërkojë më shumë një njeri që ka famën, pasurinë dhe dashurinë?
Një djalë i ri nga Lezha apo nga kudo në botë mund të ketë jetën e ëndrrave. E rëndësishme është të punosh shumë dhe të mos jesh dembel. Më pëlqen jeta ime, shpeshherë më mbajnë kaq shumë të zënë dhe kërkon punë kaq të vështirë për të mbajtur këtë nivel. Njerëzit mendojnë se gjithçka është e lehtë kur ke para, por jo, nuk është kështu. Sa më shumë para të kesh, aq më pak kohë të lirë ka. Kur nuk kam pasur para, kam pasur shumë kohë të lirë. Tani kam para, por kam më pak kohë të lirë. Në fakt, kjo më bën të lumtur, sepse puna ime e vështirë ushqen miliona njerëz në Kinë.
Do ta lije Kinën për të jetuar përfundimisht në Shqipëri?
Kina është 1/4 e gjithë botës. Nuk ka rëndësi se çfarë bën, këtu nuk është aspak e lehtë. Por e rëndësishme është kur keni një ëndërr dhe pasion për atë që bëni, atëherë gjithçka bëhet më e qetë dhe më e lehtë. Unë gjithmonë them në fjalimet e mia “bëni atë që doni dhe duajeni atë që bëni”, është mënyra më e mirë për të qenë të lumtur dhe të suksesshëm në jetë.
Në fillim, kur erdha në Kinë, nuk e dija që Zoti do tregohej kaq bujar me mua e do më bekonte me një familje të mrekullueshme. Jam shumë i lumtur për gjithçka kam këtu. Jeta që bëj këtu, shumë njerëzve mund t’u duket si ëndërr. E tillë është, por edhe unë punoj fort çdo ditë për të gëzuar gjithçka kam. Kam udhëtuar nëpër botë në shumë vende, por si Kina nuk mund të gjesh një vend të dytë, njerëz të mirë, vend të bukur, shumë mundësi për një jetë më të mirë, siguri. Kina nuk është ajo që shihni në televizor, Kina nuk është e lajmeve dhe nuk është gjithmonë ajo që shihni aty jeta e vërtetë. Unë tashmë e kam ndërtuar jetën time këtu dhe e kam të vështirë të zgjedh mes saj dhe Shqipërisë, madje nuk mendoj asnjëherë t’i vë në peshore, sepse për vendin tim do të bëja gjithçka dhe do bëj sa herë të mundem, por besoj se tashmë e kam zgjedhur vendin ku dua ta kaloj pjesën tjetër të jetës sime.
Si i ke raportet me personazhet e famshëm shqiptarë që jetojnë nëpër botë, do ta veçoje ndonjërin prej tyre me të cilin ke më shumë kontakte?
Është e vërtetë që në rrjete dalin shumë lajme dhe foto të miat me njerëzit të famshëm dhe të pasur nga e gjithë bota. Kjo nuk më bën të ndihem ndryshe, sepse është diçka normale për mua. Por do veçoja nga shqiptarët Rita Orën dhe Dua Lipa-n. Kam raporte shumë të mira me to.
Ku ndryshon një milioner shqiptar nga të tjerët në të gjithë botën?
Një djalë i ri nga Lezha apo nga kudo në botë mund të ketë jetën e ëndrrave. E rëndësishme është të punosh shumë dhe të mos jesh dembel. Më pëlqen jeta ime, shpeshherë më mbajnë kaq shumë të zënë dhe kërkon punë kaq të vështirë për të mbajtur këtë nivel. Njerëzit mendojnë se gjithçka është e lehtë kur keni para por jo, ata gabojnë. Sa më shumë para të kesh aq më pak kohë të lirë ka. Kur nuk kam pasur para, kam pasur shumë kohë të lirë. Tani kam para, por kam më pak kohë të lirë. Në fakt, kjo më bën të lumtur, sepse puna ime e vështirë ushqen miliona njerëz në Kinë.
300 mijë maska mbrojtëse në ndihmë të Shqipërisë, ideja jote apo e Terezës?
Unë jam një person me zemër luani, çfarë bëj e bëj nga zemra dhe nuk kam pse e publikoj. Kam bërë shumë bamirësi që nuk i postoj në rrjetet sociale, vetëm disa prej tyre i postoj, si ishte dhurimi për Shqipërinë i 300 mijë maskave për mjekët në këtë kohë të vështirë. Prej vitesh mbështes edhe Amfar-in në Kanë, për të gjetur kurën për SIDA, shpresoj se do të gjejmë një kurë që do të ndihmojë miliarda njerëz nëpër botë.
Duket sikur flet gjithmonë me shifra të larta, si 30 fustanet për 1.6 milionë euro. Cila është çmenduria e radhës që do bëje për Terezën?
Për Terezën do të bëja gjithçka. Ajo dhe im bir janë pasuria më e madhe për mua.
A është Tereza një Nënë Terezë tjetër: Chanel Tereza? Cila është bamirësia më e madhe e saj që të ka lënë pa fjalë?
Absolutisht po. Tereza e ka idhull Nënë Terezën dhe unë jam shumë i lumtur që ndjek edhe rrugën e saj sa herë i jepet mundësia. Është njeri me zemër të madhe. Mua më la pa fjalë kur nuk u mendua dy herë për të sjellë ndihma në Shqipëri gjatë situatës së Covid-19 dhe që vazhdon ta bëjë akoma.
Në punë te kompania e saj, të gjuajti apo e gjuajte?
Ndoshta u gjuajtëm të dy. Ishte diçka që ndodhi, ishte e thënë që të ndodhte.
Pyetje për Terëzën:
Çfarë do të doje të kishe nga Nëna jonë e famshme Terezë?
Dhembshurinë, dashurinë e saj të madhe. Ajo ishte një grua e mrekullueshme dhe një model i jashtëzakonshëm për shumë njerëz që e duan bamirësinë. Ka qenë dhe është idhulli im. Më rastisi të shihja statujën e saj në aeroportin me emrin e saj kur erdha në Shqipëri dhe jam shumë krenare për emrin që kam. Mësoj shumë prej saj, jo vetëm që kujdesem për të varfrit, por gjithashtu i ndihmoj ata të mësojnë, të marrin një profesion dhe të bëhen të suksesshëm në jetë. Nëse më shihni duke bërë diçka, mbani parasysh që nuk është për t’u dukur, por për t’ju treguar se si mund të bëjmë një jetë më të mirë. Shpresoj që të rinjtë në Shqipëri ta vlerësojnë Nënë Terezën dhe ta mbajnë atë gjithmonë si idhullin e tyre.
Cila është bamirësia që do bëje për Shqipërinë, nëse do mundeshe, sa hap e mbyll sytë?
Jemi gati gjithmonë për të investuar në Shqipëri. Nëse projekti i investimeve shkon mirë, do ta mendoj të jetoj në Shqipëri për një kohë të gjatë. Unë nuk jam mësuar të jetoj në një qytet. U rrita në Dalian dhe më vonë shkova në Hangzhou, Hong Kong, Zvicër, etj. Kam blerë shtëpi në shumë qytete në Kinë. Më vonë, mendova se ishte më me pak kosto për të jetuar në hotele, kështu që nuk isha më e interesuar për të blerë shtëpi.
Por Shqipëria ka një popullsi të vogël, me djem dhe vajza janë shumë të bukur. Unë i kushtoj shumë vëmendje pamjes dhe ju e dini. Mendoj se pamja e bukur është edhe peizazhi i këtij vendi. Kultura shqiptare është gjithashtu shumë e larmishme, ushqimi shqiptar më pëlqen shumë. Familja e Rolandos është shumë e mirë në gatim. Unë përpiqem të sjell më shumë kinezë në Shqipëri për të provuar peizazhin e bukur natyror dhe të investojnë këtu. Kështu që unë dua të ndihmoj në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Kur familja e Rolandos më shihte duke ndihmuar shqiptarët, janë ndier shumë krenarë për mua dhe kjo më bën edhe më të lumtur. Pavarësisht luksit në të cilin jetoni, mendoj se gjëja më e rëndësishme janë njerëzit që ju keni ndihmuar dhe vazhdoni të ndihmoni. Jam gjithmonë gati për ta ndihmuar Shqipërinë, sepse i dashuroj njerëzit e saj.
Si të pritën vjehrri dhe vjehrra herën e parë që erdhe në Shqipëri?
Kur erdha për herë të parë në Shqipëri, isha nisur për në Festivalin e Filmit në Kanë. Rolando më tha se ai nuk kishte qenë në shtëpi prej disa vitesh dhe se vendlindja e tij është shumë e bukur dhe më ftoi ta vizitoja. Meqenëse ishim në Evropë dhe nuk ishte larg nga Shqipëria, shkuam bashkë në qytetin e tij. Prindërit e tij më ftuan në shtëpinë e tyre për darkë. Ky ishte takimi ynë i parë. Kishin bërë shumë ushqime të shijshme, ngjala të pjekura në skarë, mish viçi të pjekur dhe specialitete të tjera tradicionale. Më trajtuan shumë mirë.
Cila është cilësia pas së cilës kuptove se re në dashuri me të vërtetë me Rolandon?
Unë mendoj se zgjedhja e një njeriu, së pari, është pamja e tij dhe personaliteti. E dyta është se kemi të njëjtat dëshira. Përveç kësaj, unë mendoj se të kuptuarit e njëri-tjetrit është gjithashtu mjaft e rëndësishme. Ju e dini, shumica e bizneseve të mia janë në Kinë, unë jam e zënë me punën time, kështu që kam nevojë për një njeri që mund të më kuptojë. Meshkujt shqiptarë janë mjaft të përshtatshëm, sepse u pëlqen të shkojnë në vendet e tjera për të punuar. Nuk lodhen kurrë. Ka një kategori meshkujsh në Kinë që quhen burra ekonomikë dhe praktikë, meshkujt shqiptarë janë të tillë. Rolando është mësuar të jetojë në Kinë me mua. Nuk ka shumë konflikte kulturore midis Shqipërisë dhe Kinës, vendet tona kanë qenë miq më parë, kështu që disa disa gjëra i kemi të dhe në kulturë, gjithashtu nuk ka shumë dallime. Megjithëse jeta në Evropë është e ndryshme nga ajo në Kinë, Rolando nuk ndihet aspak i bezdisur. Kam pasur miq gjermanë dhe francezë, ata më pëlqejnë shumë zakonet e jetesës kineze. Kjo është arsyeja pse Rolando më përshtatet shumë mirë.
A mund ta rrëfeni shkurt çastin kur Rolando të propozoi martesë? Ku ishit?
Po, e kujtoj mjaft mirë. Ishim në Nice, Francë, në një shtëpi plazhi, me një oborr të bukur, rrugës për në Festivalin e Filmit në Kanë. Ai tha se ishte një vend shumë i bukur dhe pak më pas më propozoi. Nuk thashë “po” menjëherë, por ai këmbënguli. Biseduam shumë duke kujtuar që nga hera e parë që u takuam. Ai më ka thënë se është dashuruar me mua me shikim të parë. Qysh herën e parë që më pa, mendoi se isha princesha e tij.
Ku ndryshon Rolando nga të gjithë djemtë e tjerë të moshës së tij në Kinë?
Në të vërtetë, unë gjithmonë dëshiroja të kisha një të dashur evropian, sepse ndër të tjera ata janë shumë të bukur. Meshkujt në Kinë nuk janë aq romantikë. Unë jam shumë e vëmendshme për pamjen dhe meshkujt në Shqipëri më përshtaten më së miri. Shumë njerëz preferojnë francezët ose gjermanët, sepse i bëjnë ata të ndihen superiorë, por unë nuk pajtohem me këtë fakt. Njerëzit më quajnë president, sepse unë kam qenë presidente e shumë shoqatave. Ndonjëherë bëj shaka se jam presidentja e “Shoqatës së Paraqitjes së Jashtme”. Unë mendoj se zgjedhja e një njeriu së pari është pamja e tij dhe personaliteti.
Pas djalit 3-vjeçar, vjen një motër?
Në fakt, unë nuk dua të kem vajzë, sepse kam frikë se ajo do të punojë kaq shumë aq shumë sa unë. Si nënë, ta shikoj vajzën time të punojë kaq shumë, do më vinte shumë keq, do dëshpërohem. Nëse nuk do të punojë aq shumë sa unë, do të varet nga njerëzit e tjerë për gjithçka. Edhe kështu nuk do të ndihesha mirë dhe do të konfliktohesha. Përveç kësaj, nëse vajza ime bie në dashuri me një djalë jo të duhur dhe është aq kokëfortë sa unë, ne mund të grindeshim lehtësisht duke lënduar ndjenjat e njëra-tjetrës, kështu që nuk dua të jem nënë e një vajze.
Çifti i përrallave apo çifti i ëndrrave, quajeni si të doni. Ne na pëlqen ta quajmë “çifti i pashembullt”, sepse ky është modeli më i mirë që na përfaqëson kudo në botë dhe prej tij, në këtë fundvit, secili nga ne mund të mësojë shumëçka e mund të reflektojë…
Qetësisht, ulur buzë pemës, me një letër për Babagjyshin…
“Shtoji, të lutem, sa më shumë njerëz të tillë në këtë vend! Dhe një lutje tjetër si ajo e Rolandos: Bëni atë që doni dhe duajeni atë që bëni! Është mënyra më e mirë për të qenë të lumtur dhe të suksesshëm në jetë…”