Prokuroria e Prizrenit ka dhënë detaje të reja për vrasjen e dy personavet mbrëmë në këtë qytet.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:30 në lagjen “Edit Durham”. Sali Mazreku dhe Leonita Mazreku janë gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tyre.
Prokuroria njofton se ngjarja, ka ndodhur në ambientin familjar dhe në prezencën e anëtarëve të familjes.
“Më 15.12.2020, rreth orës 19:30, jemi informuar nga Policia e Kosovës se në lagjen “Edit Durham”, në Prizren, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pajetë, ku dyshohet se është përdorur arma e zjarrit. Viktimat janë familjarë ndërmjet vete, janë babë e bijë, të moshës 52-vjeçare, përkatësisht 21- vjeçare, ku njëri nga viktimat është zyrtar policor, i policisë kufitare. Në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit, e cila dyshohet se është arma zyrtare e policisë. Ngjarja ka ndodhur në ambientin familjar në prezencën e anëtarëve të familjes.
Në vendin e ngjarjes ka dalë prokurori kujdestar së bashku me njësitet relevante policore dhe zyrtarët e Inspektoratit Policor të Kosovës. Pas shikimit të vendit të ngjarjes, trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Deri tani nuk dihen rrethanat e rastit, mirëpo prokuroria dhe policia janë duke mbledhur informacionin e nevojshëm me qëllim të zbardhjes së rastit dhe rrethanave që kanë çuar deri në ngjarjen tragjike”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.