Dy trupa të pajetë janë gjetur mbrëmjen e së martës në Prizren, të cilët janë vrarë me armë zjarri. Sipas informacioneve të para, bëhet e ditur se dy viktimat kanë lidhje familjare, janë babë e bijë.
Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala.
“Bëhet fjalë për dy viktima, në një shtëpi, dyshohet se janë të vrarë nga arma e zjarrit, dyshohet se njëri nga viktimat është zyrtarë policor. Po ashtu dyshohet se viktimat kanë lidhje familjare, janë babë e bijë. Për më tepër se çfarë ka ndodhur në nuk kemi informacione. Prokurori i rastit së bashku me Policinë e Kosovës dhe njësitë tjera relevante janë dalur në vendin e ngjarjes për ta konstatuar dhe zbardhur rastin”, tha Shala.
Ndryshe, edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bali Kelani ka dhënë detaje në lidhje me rastin në Prizren.
Ai ka konfirmuar se njëra viktimë është zyrtarë policor.
Kelani sqaroi se fillimisht Policia kishte pranuar informacion se janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, dhe kur kanë arritur në vendin e ngjarjes kanë gjetur viktimat.
“Me 15.12.2020, pak pas orës 19:00, Policia ka pranuar një informacion se në rrugën ‘Durmish Asllani’ në Prizren, janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit. Njësitet kompetente policore, menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe bazuar në informacionet e para, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pajetë, një mashkull kosovar zyrtar policor dhe një femër kosovare, vdekjen e të cilëve e kanë konfirmuar mjekët kompetent. Në vendin e ngjarjes janë dalur të gjitha njësitet policore përfshirë forenzikën, ekipet mjekësore dhe prokurorin, të cilët janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes si dhe duke kryer hetime intensive, lidhur me rastin”, tha Kelani.