Mëngjesin e sotëm oficerët korrektues kanë kapur pastruesin e burgut të Dubravës duke futur brenda substanca narkotike.
F.L i punësuar si pastrues në Qendrën Korrektuese në Dubravë, kishte të fshehur në rrobat e tij substancat e dyshuara narkotike. Kështu kanë bërë të ditur nga Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK).
“Sot rreth orës 07:55 në Qendrën Korrektuese në Dubravë ,oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen kontrabandës brenda qendrës. Oficeret korrektuese gjatë kontrollit në portën hyrëse të qendrës, kanë hetuar se F.L i punësuar pastrues në QK Dubravë, kishte të fshehur në rrobat e tij substanca të dyshuara narkotike”, thuhet në komunikatën për media.
Tutje thuhet edhe se “Me të hetuar substancën e dyshuar narkotike, menjëherë janë ndërmarr veprimet e nevojshme nga stafi përgjegjës i sigurisë, të cilët kanë lokalizuar vendin, provat materiale dhe zyrtarin e dyshuar”.
Lidhur me rastin janë njoftuar Njësiti Antidrogë i Policisë së Kosovës, ndërsa ndaj të dyshuarit është ndërmarrë masa e suspendimit nga puna dhe me njëherë është iniciuar procedure e brendshme disiplinore.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin e dukurive negative, ku hyjnë luftimi i kontrabandës, substancave narkotike, korrupsionit dhe keqpërdorimit të pozitës zyrtare, dhe nuk do të lejoi në asnjë mënyrë rrezikim e institucioneve korrektuese nga dukuritë dhe veprimet e tilla”, përfundon komunikata e dërguar për media.