Partitë politike po presin momentin e fundit për certifikimin e listave të kandidatëve për deputet. Ato zotohen se brenda këtyre listave, do të jenë të përfaqësuara si duhet gratë, dhe nuk do të ketë njerëz me aktakuza.
Partive politike u kanë mbetur edhe 3 ditë deri në kohën e paraparë për t’i dorëzuar listat e kandidatëve në KQZ. Por, asnjë parti politike nuk ka bërë publike emrat e kandidatëve për deputetë.
Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se një pjesë e kanidatëve nominohen nga qendrat e votimeve dhe një pjesë tjetër propozohet nga kryetari i kësaj partie, Albin Kurti.
“Ne e kemi të përcaktuar që 83 nga lista prej 110 kandidatëve nominohen nga qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje nëpër secilën komunë, ndërsa ¼ e listës i takon ta propozojë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Adnan Rrustemi.
Ndërsa Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se kjo parti po synon që listën ta ketë më shumë gra profesioniste.
“Kemi një synim që përfaqësimi i gruas të jetë përfaqësim i rëndësishëm në PDK. Në këtë platformë PDK e ka thënë qartë se do të krijojë hapësirë për gratë dhe qeveria e drejtuar nga Kadri Veseli do të mbahet në mend për numrin e madh të grave në qeverisje”, deklaroi Blerta Deliu – Kodra, përcjell Telegrafi.
E nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se lista e tyre nuk do të ketë njerëz që kanë aktakuza.
Pas pranimit të aplikimit fillon faza e shqyrtimit të listave dhe nëse ka nevojë kërkohen përmirësimet ose korrigjime dhe pas kësaj KQZ-ja vendos lidhur me aprovimin apo refuzimin e certifikimit.
“KQZ mund të refuzojë certifikimin e ndonjë subjekti politikë dhe në këtë rast subjekti politik mund të paraqes ankesa pranë PZAP pas vendimit refuzues nga ana e KQZ-së”, tha Valmir Elezi.
Partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare kanë të drejtë t’i dërgojnë më së shumti 110 kandidatë për deputetë të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjet e 6 tetorit. /RTV Dukagjini/Telegrafi/
Discussion about this post