Gjatë javëve në vazhdim pritet që në Kuvendin e Kosovës të vihet në votim projektligji me ndryshim/plotësimet për Lirinë Fetare në Kosovë, por ndërhyrja në këtë projektligj ka shkaktuar debat në vend.
Më 21 shtator të këtij viti, në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës u miratua plotësim-ndryshimi i Projektligjit që rregullon statusin juridik të bashkësive fetare në Kosovë, por përpos Bashkësisë Islame të Kosovës, Kishës Ortodokse Serbe, Kishës Katolike, Bashkësisë së Besimit Hebre, Kishës Protestante dhe Ungjillore, edhe një bashkësi e re po pret të njihet ligjërisht, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës.
Për një gjë të tillë, Komisioni i Venecias, anëtarë të së cilit kanë vizituar Kosovën më herët dhe kanë parë nga afër funksionimin e bashkësive fetare në vend, i kanë dhënë ‘dritë të gjelbër’ kërkesave të tyre që ato të njihen si bashkësi legjitime “në mënyrë që të eliminohen praktikat dhe vështirësitë me të cilat komunitetet përballen gjatë kryerjes së aktiviteteve”.
Zëvendëskryeministri Driton Selmanaj, propozues i këtij ndryshimi të projektligjit në Qeveri, i cili në ditët në vazhdim pritet të miratohet me votat e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, tha se me këtë projektligj “synohet të rregullohet statusi i lirive fetare”.
Në draft/projektligjin të cilin Qeveria ia ka ofruar AA-së, parashihet një mori lehtësimesh për këto bashkësi, duke përfshirë njohje juridike të bashkësisë, krerëve të bashkësive (klerëve), nëpunësve të tyre, pronave si dhe të drejta tjera që lidhen me lirinë e ushtrimit të fesë në vend. Madje, për këto, projektligji parasheh edhe formimin e një zyreje të re në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të jetë përgjegjëse për zbatimin e këtij Ligji.
“Në mungesë të ligjit në fjalë, BIK ka pasur vështirësi të shumta”
Por, Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), megjithëse e konsideron këtë ligj si qartësues të pozitës juridike të institucionit të tyre, nuk është pajtuar me këtë projektligj, duke i dërguar zëvendëskryeministrit Selmanaj një letër me disa vërejtje rreth tij.
Vedat Sahiti, këshilltari i kryetarit të BIK-ut, Naim Tërnava, në një prononcim për Anadolu Agency (AA) tha se në mungesë të ligjit në fjalë, BIK ka pasur vështirësi të shumta në funksionimin normal dhe punët e tyre të përditshme të organizimit të bashkësisë, por thekson se si bashkësi kanë disa mospajtime me projektligjin, e veçanërisht ndarjen e bashkësisë së tarikateve si bashkësi e veçantë.
“Uniteti i besimtarëve është parim bazë i besimit tonë dhe konsiderojmë se me futjen e kësaj bashkësie të re (të Tarikateve), në këtë projektligj, ata (Qeveria) kanë shkelur në mënyrë flagrante edhe parimin themelor Islam, kanë cenuar integritetin dhe autonominë e bashkësisë fetare, në këtë rast BIK-ut. Edhe pse shteti thirret gjithmonë në mosndërhyrjen e organizimit të brendshëm të cilësdo bashkësi, kësaj radhe ata kanë shkelur këtë autonomi dhe duhet ditur fare mirë se tarikatet kanë qenë dhe janë pjesë përbërëse e komunitetit musliman, pjesë e Bashkësisë Islame të Kosovës”, thotë Sahiti i cili shton se një gjë e tillë është e rregulluar edhe me aktin më të lartë kushtetues të BIK-ut.
Me projektligjin në fjalë, Sahiti thotë se po mëtohet të krijohet një dualizëm dhe ndarje në mesin e komunitetit musliman. Një ndarje e tillë e BTK-së nga BIK-u, sipas Sahitit, përbën diçka të jashtëzakonshme, ngase nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në rajon. Në Shqipëri, ai thotë se ekziston komuniteti bektashian që është themeluar në rrethana specifike të viteve të 20-ta të shekullit të kaluar, por “tarikatet tjera, janë në kuadër të Komunitetit Musliman të Shqipërisë”.
Ndërsa në Turqi, Sahiti thotë se “Diyaneti” është bashkësia e vetme dhe unike, ngase “nuk ka bashkësi tjetër fetare Islame” atje.
“Në asnjë vend nga vendet e rajonit nuk kemi bashkësi të tarikateve, madje në Turqi është edhe e ndaluar. Organizimi institucional i bashkësisë së tarikateve në Turqi është i ndaluar me ligj prej kohësh dhe vazhdon të jetë i ndaluar. Kështu që ky është një precedent jo i mirë që Kosova të fillojë me ndarjen e unitetit të besimtarëve”, tha Sahiti.
“Bashkësia e Tarikateve nuk është formuar kundër askujt”
Por, i mirëseardhur ky projektligj ka qenë për Bashkësinë e Tarikateve të Kosovës (BTK).
Sekretari (pozita më e lartë në BTK) i kësaj bashkësie, Lulzim Shehu, tha për AA se ka disa vite që po përpiqen të pavarësohen dhe të mos identifikohen si sekt i Islamit, por “si trashëgues të traditës dhe bekimit mistik”.
Shehu thotë se Bashkësia e Tarikateve të Kosovës i përfshin nën organizimin e vet 12 Tarikate nga të cilët 9 kanë prezencë aktualisht në Kosovë: Kaderi, Rifai, Saadi, Shazeli, Nakshibendi, Sinani, Bektashi, Halveti dhe Melami, ndërsa më shumë se 90 për qind të Teqeve të Kosovës janë përfshirë me organizimin e sotëm të BTK-së.
Ai thotë se midis tyre dhe bashkësive tjera fetare, ekzistojnë tensione të brendshme të cilët janë krijuar nga dëshira e disave për t’u marrë me politikë dhe për t’i përzier punët me organizma shtetërorë, por sipas tij, këtë nuk e synon BTK-ja.
“Bashkësia e Tarikateve nuk është formuar kundër askujt. Ne jemi formuar dhe organizuar për nevojat tona së pari të brendshme, pastaj edhe për të pasur mundësi komunikimi me shoqërinë në përgjithësi, me qeveritarë, me institucione. Sa u përket marrëdhënieve, ka disa tensione të cilat i ka sjellë ligji aktual (për lirinë fetare)”, thotë Shehu.
Duke iu referuar një ankete të vitit 2012 mbi natyrën e besimit Islam, të bërë nga instituti PEW, Shehu thotë se meqë një pjesë e të anketuarve në Kosovë ka mohuar se Sunitët janë muslimanë, ka ardhur në përfundim se rreth 20 për qind e popullatës shqiptare janë të tarikateve.
“20 për qind të popullatës shqiptare, mbi 300 mijë, i takojnë komunitetit të Tarikateve. Brenda këtij 20 përqindëshi, 60 mijë kanë marrë dorë (janë betuar); atë e dimë sepse janë dervish/shehlerë. Për afërsisht 80 teqe janë aktive, mund të ketë edhe më shumë. Jemi në një proces të lustrifikimit. Sepse jo çdokush me ndërtimin e një teqeje bëhet sheh, duhet ta shohim mirë se a është në përputhje me rregullat. Por, procesi do të përfundojë në momentin që Ligji do të hyjë në fuqi”, thotë Shehu.
Bashkësia e Tarikateve të Kosovës juridikisht u themelua në vitin 1974, pas dekadave të ballafaqimit me shtetin komunist dhe me kryesinë e BFIJ (Bashkësia Fetare Islame e Jugosllavisë). Tradita e dervishëve të Kosovës i ka ruajtur në përgjithësi elementet e saj kulturore, ritualet e dervishëve: elementet etnografike, veshjet, muzika vokale dhe instrumentale, shkrime filozofike, fetare dhe mistike, vallëzime të dervishëve, poezia, kaligrafia.
Projektligji që rregullon statusin juridik të bashkësive fetare mund të kalojë me një shumicë të thjeshtë në Kuvend, me 61 vota pro, por para se të dalë në votim në seancë parlamentare, do të kalojë në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione për shqyrtim./AA/