Shpresat se do të liberalizohen vizat gjatë pjesës së dytë të këtij viti ishin shtuar jashtëzakonisht shumë, meqë me presidencën e Bashkimit Evropian është duke udhëhequr Gjermania e kancelares Angela Merkel.
Megjithatë, një gjë e tillë vështirë se do të ndodhë, pavarësisht përkrahjes së fortë gjermane. Të paktën në takimin e Këshillit Evropian që do të mbahet gjatë 15-16 tetorit kjo temë s’është fare në agjendë të diskutimeve.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar një zëdhënës i Qeverisë Gjermane.
“Siç ju keni përmendur, është presidenti i Këshillit Evropian ai që vendos agjendën në konsultim me liderët e BE-së. Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk është në agjendën e takimit të tetorit”, ka thënë ky zëdhënës.
Ndërkohë, i pyetur nëse Merkel ka përkrahjen e Macronit për të shtyrë përpara liberalizimin meqë ditë më parë ishin takuar, nga qeveria gjermane kanë thënë se duhet pyetur vetë francezët për pozicionin e tyre.
“Në parim nuk komentojmë bisedat konfidenciale. Nëse keni pyetje rreth pozicionit francez për këtë çështje, ju lutemi kontaktoni autoritetet franceze”, ka përfunduar ky zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Gazetën Express.
Se Kosova nuk është në agjendë të takimit të mesit të tetorit e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe një burim zyrtar në Bashkimin Evropian. Ky burim ka thënë se momentalisht temat që do të diskutohen në takimin e Këshillit Evropian gjatë tetorit do të jenë raportet me Britaninë e Madhe, raportet me Afrikën, derisa ka thënë se çështje tjera mund të shtohen varësisht nga zhvillimet.
“Në këtë fazë, temat që pritet të jenë në agjendë janë raportet me Britaninë e Madhe, klima dhe raportet me Afrikën, gjithashtu edhe çështje tjera mund të shtohen varësisht nga zhvillimet”.
Edhe eksperti gjerman për Ballkanin Perëndimor, Bodo Weber, ka thënë se është shumë skeptik rreth asaj nëse Gjermania do të arrijë të bindë shtetet kryesore anëtare për të shtyrë përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Derisa ka theksuar se një gjë e tillë është e padrejtë, kur dihet se Kosova ka përmbushur kushtet që një kohë të gjatë.
Për punën e vizave sot ka folur edhe Komisionari për Zgjerim, Oliver Varhelyi, i cili ka përmendur plotësimin e kushteve duke potencuar se Kosova duhet të sigurohet se është duke vazhduar në plotësimin e tyre. Ditë më parë për punën e vizave ka folur edhe kryediplomati gjerman, Heiko Maas.
Ai ka thënë se Gjermania është duke punuar intensivisht për procesin e vizave, megjithatë ka thënë se s’mund të japë një afat kohor se kur një gjë e tillë mund të ndodhë. Këshilli i Bashkimit Evropian do të mblidhet edhe një herë gjatë muajit dhjetor.
Nuk dihet nëse do të vendoset në agjendë dhe nëse do të ketë një vendim, meqë tashmë çështja e liberalizimit të vizave është në dorë të këtij institucioni të Bashkimit Evropian.
Pas Gjermanisë presidencën e Bashkimit Evropian do ta udhëheqë Portugalia e më pas Sllovenia. Franca e Emmanuel Macronit do ta udhëheqë në gjysmën e parë të vitit 2022.