Këngëtarja e njohur, Dua Lipa postoi para pak ditësh në Instagram flamurin autokton të trojeve shqiptare, të ngritur në Beograd, duke nxitur reagime të shumta nga përdoruesit serbë të rrjetit.
Veprimi i saj u komentua gjerësisht dhe më pas Dua sqaroi se nuk kishte si qëllim që të nxiste urrejtje. Së fundmi, gjatë emisionit të tij “Provokacija”, Mustafa Nano ka prekur pikërisht këtë temë.
Ai e vlerësoi Duan si këngëtare dhe për më tepër si një vajzë inteligjente dhe plot klas. Megjithatë sipas Nanos ajo nuk duhet të merret me harta, me politikë pasi dëmton fillimisht imazhin e saj.
“Sot dua të luaj në një terren të rrëshqitshëm. Por ju e dini që mua më pëlqejnë terrene të tilla. Më pëlqen të rrezikoj. Ku e kam fjalën? Do të flas për Dua Lipën, më saktë për një gjest të sajin, që ka provokuar shumë diskutime, mbështetje nga shqiptarët, por edhe nga shumë të tjerë dhe kontestime nga serbët.
Ajo postoi në instagramin e vet një kërkesë:
Të vihen kufijtë e Kosovës në Apple map. Një kërkesë absolutisht e drejtë. Pak më vonë, po në Instagram (në fakt, edhe në Tëitter), ajo publikoi një mesazh tjetër. Publikoi hartën e Shqipërisë etnike.
Është e njëjta hartë që u valëvit mbi një stadium të Beogradit, me fotografitë e Isa Boletinit e Ismail Qemalit dhe me mbishkrimin “Autochthonous”. Pas kësaj, ajo inicioi apo mbështeti një peticion online, nëpërmjet të cilit i kërkohej Apple-it që ta ndreqte këtë gabim.
Ky peticion është nënshkruar nga mbi 100 mijë vetë, mes të cilëve është edhe Rita Ora, aleatja e saj kur vjen puna te patriotizmi. Do ta nënshkruaja edhe unë me kënaqësi.
Dua Lipa është një nga këngëtaret më të mira në botë. Për mua është më e mira në botë. Dhe nuk e them si shqiptar, e them si konsumator muzike. Edhe serb po të isha, të njëjtën gjë do mendoja, pavarësisht se nuk do mund ta thoja dot në publik.
Ajo është edhe vajzë e mençur dhe me klas. Dhe mua më pëlqen edhe kur hap gojën. Më pëlqen edhe kur ajo e deklaron origjinën e saj etnike. Ajo ka ditur të bëjë një lloj diplomacie kulturore.
Atë që mund ta bëjë ajo për afirminin ndërkombëtar të Kosovës e për promovimin e sojit të shqiptarëve në përgjithësi nuk mund ta bëjë e gjithë makina e diplomacisë.
Dhe në këtë kuptim, kërkesa e saj drejtuar Apple-it për të përfshirë Kosovën në hartë e për të mos e lënë atë nën Serbinë, për të njohur kështu diçka që në realitet ka vite që ka ndodhur është një kërkesë me vend. Që nuk ke si ta kritikosh. Kosova nuk është më pjesë e Serbisë, e nuk ka për të qenë ndonjëherë.
Por ajo në të njëjtën kohë duhet të kursehet me deklarata e qëndrime politike. Ajo nuk duhet të futet në këtë lojë. Nuk duhet ta bëjë këtë për imazhin e vet, në radhë të parë.
Ajo bëri gjënë më të mirë që i kërkoi Apple-it të vërë hartën e Kosovës më vete, por gabimi i saj ishte kur u mor me harta. Kjo nuk është punë për të. Nëse këmbëngul të merret me gjëra të tilla ajo dëmton veten, dëmton edhe kauzën që kërkon të mbrojë apo të promovojë, por edhe krijon një lloj simetrie, që hë për hë nuk na shërben”, u shpreh Nano.
Burimi: “Abc News”