Pyetja që ia ka bërë kryeministrit të Kosovës “razumes srpski” është gjëja më së paku kontradiktore nga dialogu. Fundi i fundit, Hoti është një kryeministër i një shteti ku gjuha serbe është gjuhë zyrtare.
Shkruan: Augustin Palokaj
Nganjëherë harrohet se kur u shpall pavarësia dhe u miratua Kushtetuta, gjuha serbe u njoh si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës. Ka pasur shumë herë provokime më serioze nga pala serbe. Kur e kanë krahasuar Kosovën me ISIS-in, kur e kanë kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, kur i kanë quajtur “gënjeshtra” akuzat për dhunime në Kosovë. E Kosova nuk ka reaguar
Me siguri të madhe mund të besojmë se Miroslav Lajçak nuk ka pasur ndonjë qëllim të keq ndaj Kosovës kur është ulur në anën e delegacionit të Serbisë në tavolinën ku u zhvillua takimi i parë në nivel të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Por ajo pamje, ku “i dërguari i posaçëm për dialog” ishte krahas presidentit të Serbisë, në krye të tryezës ishte shefi i tij Josep Borrell, anash zyrtarja e cila merret me dialog që nga fillimi i tij, e përballë kryeministri i Kosovës, ka një simbolikë.
BE-ja vazhdon ta shohë dialogun më shumë sipas nevojave të veta, në disa raste edhe nevojave të Serbisë, më shumë sesa të Kosovës. Dhe BE-ja, duke qenë neutrale ndaj statusit, është më shumë kundër Kosovës sesa kundër Serbisë. Kjo do të thotë se Serbia është shtet e Kosova jo.
Disa herë kemi përsëritur se në organizata ku për çështje të tilla vendoset me konsensus të jesh “neutral ndaj statusit”, do të thotë të jesh negative ndaj statusit. Fakti se 22 nga 27 shtete të BE-së e kanë njohur Kosovën, ka më pak peshë sesa fakti se 5 shtete nuk e kanë njohur. Dhe rastësisht shumica e atyre që ishin të pranishëm në takimin e parë të Hotit me Vuçiqin nga ana e BE-së vijnë nga shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Natyrisht se askush nuk e pyet Kosovën se kënd do ta emërojë BE-ja në cilin post. Kjo është punë e BE-se. Por edhe kjo dëshmon se sa i marrin parasysh vërejtjet e Kosovës. E nga Kosova ka pasur vërejtje kur Lajçak është emëruar i dërguar i posaçëm, sidomos pasi edhe shefi i tij vjen nga një shtet që nuk e ka njohur Kosovën. Por nuk dihet sa seriozisht mund të merren edhe ato rezerva të kosovarëve.
Më e rëndësishme se kjo strukturë e ndërmjetësuesve të dialogut është sjellja e pandryshuar karshi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Bien viktimë e patetikës së tij. Ia lënë atij të vendosë se kur do të ndërpritet dialogu e kur do të rifillojë. Ai jep lajmet i pari se kur do të zhvillohet ndonjë takim e kur do të shtyhet. Dhe pajtohen me të se “Beogradi është gjithmonë gati, por Prishtina ka një situatë të paqartë”.
Kur para më shumë se 20 muajsh presidenti i Serbisë tha se nuk mund të ketë dialog pasi Kosova vendosi taksat për import të mallrave nga Serbia, BE-ja menjëherë u pajtua me një ultimatum të tillë. Kur Kosova kërkon gjënë më elementare, Vuçiq e quan “ultimatum të shqiptarëve”.
Raundi i parë i dialogut të ripërtërirë nuk solli asgjë të re. Në fakt, la përshtypjen se gjithçka do të jetë me të vjetrën. Delegacionet do të vijnë në Bruksel, do të takohen së pari në mënyrë bilaterale me “lehtësuesit” nga ana e BE-së e pastaj edhe bashkërisht. Do të hapin disa tema dhe do të angazhojnë ekipet e ekspertëve të merren me to. Dhe nuk do të ketë nxitim. Takimi i radhës në nivelin e lartë do të jetë në vjeshtë, diku në shtator. Do të ketë kaluar gjysmë viti prej kur Miroslav Lajçak është emëruar i dërguar i posaçëm i dialogut dhe ai do të mund të raportojë, sipas mandatit që ka, se ka progres në dialog. Se janë zhvilluar dy takime në nivel të qartë, se janë takuar edhe ekspertët, se palët kanë përsëritur përkushtimin ndaj dialogut, se BE-ja jo vetëm se e ka konfirmuar përkushtimin, por edhe e ka shtuar atë me emërimin e tij, se janë hapur tema të reja dhe do të hapen edhe të tjerat.
Do të përsëritet se qëllimi është “marrëveshja për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve, ligjërisht obliguese”. Por nuk do të thonë se a është njohja e ndërsjellë qëllim i këtij dialogu. Prandaj Vuçiq mund të vazhdojë të thotë se “nëse njohja e Kosovës është qëllimi i dialogut, atëherë më mirë të mos ketë dialog”. Mund të tallet me kërkesat e kosovarëve dhe t’i quaj “listë dëshirash” kur delegacioni i Kosovës të thotë se “dialogu do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë”. Dhe mund të bëjë edhe gjeste simbolike që mund ta provokojnë palën kosovare.
Pyetja që ia ka bërë kryeministrit të Kosovës “razumes srpski” është gjëja më së paku kontradiktore nga dialogu. Fundi i fundit, Hoti është një kryeministër i një shteti ku gjuha serbe është gjuhë zyrtare. Nganjëherë harrohet se kur u shpall pavarësia dhe u miratua Kushtetuta, gjuha serbe u njoh si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës. Pra, Hoti ka mundur me mburrje t’i thotë Vuçiqit se “natyrisht se e flas gjuhën serbe që është njëra prej dy gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës”. Pos kësaj, Hoti është zgjedhur kryeministër edhe me votat e përfaqësuesve të Vuçiqit në Kuvendin e Kosovës, ku ata flasin në njërën gjuhë zyrtare të Kosovës, në gjuhën serbe. Jo vetëm që nuk është turp e nënçmim të kuptosh dhe flasësh serbisht, por është përparësi. Temë tjetër është nëse pyetja ka pasur ndonjë qëllim tjetër, të nënçmimit.
Ka pasur shumë herë provokime më serioze nga pala serbe. Kur e kanë krahasuar Kosovën me ISIS-in, kur e kanë kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe INTERPOL, kur i kanë quajtur “gënjeshtra” akuzat për dhunime në Kosovë.
Por, pse të ndryshojë Serbia nëse është duke fituar. Kosova ka hequr taksat, ka hequr dorë nga reciprociteti, ka premtuar se nuk do të kërkojë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. E BE-ja është e kënaqur me këtë. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesi i posaçëm, Miroslav Lajçak, është takuar me shefin e misionit të Rusisë pranë BE-së, ambasadorin Chizov. Njërin prej diplomatëve më të shquar të Rusisë. Lajçak për shumicën e takimeve njofton në rrjetet sociale. Këtë nuk e kemi parë ta ketë përmendur. Por e ka përmendur Ambasada ruse në Bruksel. Gjithsesi nuk ka asgjë të ketë që Lajçak ta takojë përfaqësuesin e Rusisë. Përkundrazi, është edhe detyrë e tij, sepse edhe Rusia do të ketë rol në proceset e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, sidomos në OKB. Por problemi qëndron në faktin se në njoftimin e përfaqësisë diplomatike të Rusisë thuhet se “u nënvizua nevoja që dialogu dhe zgjidhja të jenë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”. Lajçak duhet të sqarojë se kush e ka nënvizuar këtë? A ka qenë ky qëndrim i përbashkët apo jo. E dimë se Sllovakia, ngjashëm sikur edhe Rusia, gjatë kohës kur Lajçak ka qenë ministër i Jashtëm ka pasur qëndrimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Rusia vazhdon këtë qëndrim, dhe pse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë mendimin se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 jo vetëm se nuk ka qenë në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëtare, por nuk ka qenë në kundërshtim as me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së.
Ka shumë elemente që Kosova duhet t’i përcjellë në sjelljen e zyrtarëve të BE-së e ato nuk janë vetëm në cilën anë ulet Lajçak, çfarë libri është në dhomën kur Vuçiq takon zyrtarët e BE-së. Nuk është risi që BE-ja të ketë më shumë mirëkuptim ndaj Serbisë sesa Kosovës. Por përfaqësuesit e Kosovës duhet ta kuptojnë vetë se nuk mund të ndryshojnë gjë nëse nuk ka konsistencë në sjelljen e tyre. E konsistencë nuk mund të ketë nëse nuk ka unitet. E kryeministri Hoti nuk ka pasur jo vetëm mbështetje unike, por nuk ka pasur as mbështetje minimale për të ardhur në takime në Bruksel. Nëse Vetëvendosje e PDK-ja kanë qenë kundër, nëse Lista Serbe në dialog përfaqësues të veten e konsideron presidentin e Serbisë, Alekandar Vuçiq, atëherë Hoti nuk e ka pasur as shumicën parlamentare prapa vetes.
As kjo nuk është asgjë e re. Sikur në fillim të dialogut, ashtu edhe në vazhdimin e tij Kosova po vazhdon me të vjetrën, pa unitet, pa konsistencë dhe pa kujdesin e duhur.