Komiteti Ekzekutiv i FFK-së në mbledhjen e sotme ka diskutuar edhe njëherë për formatin e garave për edicionin e ri 2020/2021 dhe me këtë rast ka vendosur që Superliga të ketë 10 skuadra dhe garat të bëhet me sistem të katërfishtë.
Kësisoj, skuadrat elitare të futbollit në Kosovë në edicionin e ri do t’i luajnë 36 xhiro. Në fund, nga liga do të largohen dy skuadrat e fundit në tabelë, derisa anëtarë të rinj bëhen dy skuadrat kampione të grupeve në Ligën e Parë.
Në fakt, Liga e Parë vetëm në edicionin e ri do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, e ku nga liga do të largohen tri skuadrat e fundit në secilin grup. Ndërsa, nga Liga e dytë kampioni dhe nënkampioni ngjiten në Ligën e parë, teksa nga liga largohen 4 skuadrat e fundit. Po ashtu, nga Liga e Tretë në një rang më lart ngjiten kampionët e të dyja grupeve.
Në këtë mbledhje KE i FFK-së e analizoi edhe rrjedhën e garave duke konstatuar se garat kanë rrjedhë të mirë me gjithë kritikat e pakënaqësitë e shprehura javët e fundit, por që në përgjithësi nuk kanë ndikuar në gara. KE ka kërkuar nga organet relevante të garave, vëzhguesit, gjyqtarët, kontrollorët dhe Komisionet të rrisin edhe më tutje vigjilencën në punën e tyre sikur që ka kërkuar edhe nga klubet një angazhim më të madh që xhirot e mbetura dhe garat të përfundojnë në mënyrë sportive.
KE i FFK-së i dha leje klubeve të Superligës për formimin e skuadrave “B”, të cilat do të mund të garojnë maksimalisht dy rangje më ultë se ekipi i Superligës.