Është fundi i Muajit të Ramazanit, kohë kjo kur besimtarët munslimanë duhet ta përfundojnë në mënyrën më të mirë të mundshme, shkruan Gazeta Mejdani.
Përveç detyrimeve tjera përgjatë këtij muaji, besimtarët obligohen edhe me dhënien e zekatit dhe sadakatul fitrit. Zekati si kusht i fesë islame, ndërsa sadakatul fitri si obligim i besimtarit që duhet ta kryej përgjatë Muajit të Ramazanit, janë dy segmente shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e jetës së muslimanëve.
Këto dy obligime, përveç që kanë domethënien e mbështetjes finaciale, ato shprehin gjithashtu gatishmërinë shpirtërore për t’iu përgjigjur thirrjes së Allahut. E kjo thirrje ka të bëjë me ndihmesën që besimtarët duhet t’ia bëjnë njri tjetrit.
Sipas Dr. Mustafa Bajramit, institucionet arsimore fetare islame kanë nevojë për mbështetje nga besimtarët e vendit. Ai thotë se Bashkësia Islame nuk ka buxhet të ndarë nga shteti, andaj, mbetet detyrë e besimtarëve ta mbështesin atë dhe t’i dalin në krah sa herë që paraqitet nevoja.
Në lidhje me këtë, më poshtë gjeni postimin e Dr. Mustafa Bajramit në llogarinë e tij në Facebook:
Po më pyesin (shumë) miq në lidhje me Zekatin dhe Sadakatu’l-fitrin se kujt duhet t’i jepet.
E them me bindjen më të madhe, bindje kjo e mbështetur në Kur’an, në Hadith si dhe në praktikën që ka lindur si nevojë dhe si fetva zyrtare e Bashkësië Islame të Kosovës dhe Bashkësive Islame të rajonit, se Zekati dhe Sadakatu’l-fitri duhet të jepen për insitucionet arsimore fetare islame që funkcionojnë brenda Bashkësisë Islame të Kosovës. Pra, duhet të jepen për nxënësit e MEDRESEVE dhe për studentët e FAKULTETIT TË STUDIMEVE ISLAME. Natyrisht, nëpër vendet dhe mënyrën siç e ka parapa Bashkësia Islame e Kosovës.
Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka tjetër butxhet, ndërsa medresetë dhe FSI-ja, mos thashtë Zoti, mund të mbyllen një ditë nëse besimtarët e këtij vendi nuk i mbështesin finaciarisht. Së paku me Zekat dhe Sadakatu’l-fitr.
Miq të nderuar! Mos i dëgjoni interpretimet e gabueshme që dikush-dikushi i bënë në lidhje me këtë obligim fetarë. Mos i pranoni për të mirëqena krahasimet që bëhen me vendet tjera. Sepse, vendet tjera, si Turqia ta zëmë, për Ministrinë e Fesë ndanë mjete më së shumti prej të gjitha ministrive tjera, menjëherë pas Ministrisë së Mbrojtjes.
E them këtë me përgjegjësinë më të lartë morale, fetare dhe njerëzore.
Allahu kabull ua bëftë edhe agjërimin, edhe ibadetet tjera, edhe dhënien e Zekatit dhe Sadakatu’l-fitrit…!/Gazeta Mejdani/