Në edicionin e muajit maj për InStyle , Priyanka Chopra tregoi si nisi te ajo vëmendja ndaj kujdesit të lëkurës dhe çfarë bën zakonisht.
“Vetëbesimi nuk është diçka me të cilin kam lindur. Teksa rritesha, isha më tepër si tip çuni, ndërsa nëna ime jashtëzakonisht magjepsëse. Ajo mbante gjithnjë aromë të mirë dhe kur ecte nuhasje parfumin Dior Poison. Kur fillova të merrja pjesë në konkurse bukurie në moshën 17-vjeçare, kisha një vetëvlerësim të ulët. Nuk dija asgjë për stilimin e flokëve apo makeup-in – madje nuk dija as të përdorja fondatinën.
Kur bëra për herë të parë grim profesional isha e shokuar, sepse fytyra dukej e përsosur. Kisha 5 shtresa fondatinë, sepse në atë kohë nuk e kuptoja që ishte shumë, por e mbaj mend ndjesinë e çuditshme. Këtu nisa të mendoja për anën femërore.
Kuptova se sa interesante është të jesh grua dhe të kesh kaq shumë zgjedhje se si të stilosh veten. Me kalimin e kohës, nisa ta shijoja ndjesinë që përjetoja kur dilja nga shtëpia, që përfaqësonte në një farë mënyrë gjendjen time shpirtërore. Një gjë e tillë më dha një shtysë të madhe. Përfundimisht, mësova se duhet të përqëndrohem te pikat e mia të forta që dobësitë të mos shfaqen. Gjithnjë e më tepër fitoja vetëbesim.
Kujdesi për veten është jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua dhe është diçka me të cilën kaloj gjithmonë kohë. Sidomos kujdesi për lëkurën – ne harxhojmë shumë kohë duke blerë rroba, por unë ndihem më mirë kur lëkura shkëlqen. Dy herë në muaj bëj maska në shtëpi, për skalpin, të cilat m’i ka mësuar nëna: bashkoj pak vaj kokosi dhe kastori dhe masazhoj kokën. E lë pak dhe më pas e shpëlaj me shampo.
Ndihmon në rritjen e shëndetshme të flokëve. Bëj skrab për lëkurën të paktën dy herë në muaj. Shpenzoj rreth pesë minuta duke masazhuar trupin dhe më pas vendos një vaj hidratues, si vaji i arganit, dhe kremin e trupit. Nëse e bëni disa herë në muaj, lëkura e trupit qëndron në gjendje të përsosur.
Përsa i përket grimit dhe flokëve, bëj gjithnjë të kundërtën e asaj që duhet të bëj. Nëse kam një fustan me lule dhe supozohet që duhet të bëj një grim minimalist dhe flokë të drejtë, unë zgjedh flokë të çrregullt dhe grim të fortë te sytë. Mendoj se magjia krijohet duke shkuar kundër asaj çfarë pritet. Por në përditshmëri jam shumë e thjeshtë. Nëse darkoj me Nick-un, bëhem gati për 10 minuta. Thjesht lyej vetullat, balsam për buzët të përzierë me pak buzëkuq dhe flokët i kap topuz.”/Gazeta Mejdani/