Me kujdes vështroni mimikën e bashkëbiseduesit dhe mësoni t’i identifikoni sinjalet. Aftësia që t’i lexoni të tjerët mund t’ju ndihmojë dukshëm në komunikim, transmeton Gazeta Mejdani.
Larae Quy, e cila ka punuar 23 vjet si agjente e FBI-së, thotë:
“Nuk është e domosdoshme të jeni detektiv i klasit të parë që të kuptoni se çfarë ndodh në kokën e dikujt. Gjithmonë ekzistojnë sinjalet të cilat mund t’i përdorni. E gjitha që është e nevojshme është që të dini se ku t’i kërkoni”.
Telegrafi gjithashtu shkruan se cilat janë ato shenja të sakta të cilat na zbulojnë se çfarë mendon dhe çfarë ndien personi?
Vazhdoni të lexoni nëse dëshironi të kuptoni.
1. Përcaktoni modelin themelor të sjelljes së tij
Çdo person është i veçantë, ndërsa miraton një sjellje të caktuar. Ka nga ata të cilët pastrojnë zërin ndërsa flasin dhe të tjerë që shikojnë dyshemenë, kryqëzojnë krahët, e ngrenë shumë kokën, lëvizin qafën, përplasin lehtë këmbët etj.
Përgjithësisht, këtyre sjelljeve nuk u kushtohet vëmendje, por në rast të kundërt, nuk gjendet dot se me ç’rast lindin. Në origjinë të këtyre veprimeve mund të jenë arsye të ndryshme: mund të bëhet fjalë për sjellje të vogla, ose mund të jenë sinjale nervozizmi, inati ose gënjeshtre. “Shfletimi” i sjelljeve të të tjerëve do t’iu ndihmojë t’i njihni ato.
2. Kërkoni shprehitë e çuditshme
Kushtojini vëmendje ngjarjeve që nuk përputhen me sjelljen normale të një personi dhe veprimeve të tij jashtë së zakonshmes. Për shembull: keni vënë re se një furnizuesi juaj i rëndësishëm ka zakonin të pastrojë vazhdimisht fytin kur është nervoz. Ai e bën këtë gjë kur provon të bëjë ndryshime në marrëveshjen tuaj tregtare. Po nëse pas kësaj mund të fshihej edhe diçka tjetër?
Nëse vini re një sjellje të tillë, ju mund ta thelloni edhe më tej çështjen, duke bërë më shumë pyetje se sa në një situatë normale.
3. Kushtoni kujdes gjesteve të tij
Asnjë gjest apo fjalë të marra veçmas nuk shënjojnë domosdoshmërisht diçka, por kur sjelljet e çuditshme bëhen më shumë se një, atëherë kushtojini vëmendje. Për shembull, furnizuesi jo vetëm që do të vazhdojë të pastrojë fytin, por edhe do të lëvizë kokën dhe këmbët. Bëni kujdes!
4. Krahasoni sjelljen
Keni nuhatur se diçka vepron në mënyrë paksa të ndryshme në krahasim me normalen. Zhvendoseni fokusin te pjesëtarët e tjerë të grupit për të parë se në çfarë mënyre ndërvepron ky person me të tjerët. Ndryshon shprehi? Po qëndrimin e trupit?
5. Shikoni në “pasqyrë”
Neuronet në pasqyrë janë monitorë të ngulitur në trurin tonë, të cilët reflektojnë gjendjen shpirtërore të të tjerëve, na lidhin me të tjerët, derisa mund të kuptojmë sjelljet. Një buzëqeshje për shembull, aktivizon muskujt e buzëqeshjes në fytyrën tonë, ndërkohë që një rrudhje vetullash, çon në vrenjtje.
Kur shohim dikë që na pëlqen, vetullat dhe muskujt facialë relaksohen, koka shkon paksa mënjanë. Nëse partneri juaj nuk jua kthen pikëpamjen që ju ndjeni, ky mund të jetë një mesazh i qartë: nuk i pëlqeni, ose nuk është i gëzuar për diçka që keni bërë.
6. Gjeni zërin e fuqishëm
Personi më ndikues, nuk është gjithmonë ai i ulur në krye të tavolinës. Ata që janë të sigurt në vete, kanë një ton zëri linear. Në një sallë mbledhjesh përreth një tavoline, ka shumë mundësi që personi më i sigurt, është ai i cili ka edhe më shumë pushtet apo ndikim tek të tjerët: qëndrim të drejtë e zë të fortë. (Bëni kujdes që të mos ngatërroni zërin me vokalin e fuqishëm).
Nëse keni ndër mend t’i propozoni një ide një grupi personash, fillimisht kushtojini vëmendje liderit të grupit, i cili mund të ketë edhe një personalitet të dobët, dhe për këtë, nuk jeni personi i duhur të cilit mund t’i drejtohet. Edhe pse në dukje nuk mund të duket kështu, ai ose ajo varen në masë të madhe nga të tjerët për të marrë vendime, po ashtu ndikohen lehtësisht nga paragjykimi i tyre. Ndaj, identifikoni në grup “zërin e fuqishëm” dhe shanset për të pasur sukses do të rriten në mënyrë të ndjeshme.
7. Vështroni se si ecin
Shpesh, njerëzit që kanë një ecje zvarritëse, mungesë rrjedhshmërie në të lëvizur dhe mbajtjen e kokës ulur, nuk kanë besim në vete.
Nëse nuhasni këto të dhëna në një pjesëtar të skuadrës suaj, mund të bëni një sforco më shumë për të lavdëruar ose për të vlerësuar punën që ai/ajo bën, në mënyrë që ta ndihmoni të ketë më shumë besim në vete. Ose, përgjatë një mbledhjeje, mund t’i drejtoni pyetje ngacmuese për ta nxitur të shprehë idetë e veta.
8. Kushtoni kujdes fjalëve të aksionit
Kur isha agjente e FBI-së kam zbuluar se fjalët janë “mjetet” më të mira për të hyrë në kokën e një personi tjetër.
Fjalët reflektojnë mendimet, në një frazë është mirë të identifikoni ato më domethënëset. Për shembull, nëse shefi thotë se “vendos të blejë markën X”, fjala e rëndësishme është “vendos”. Shumë lehtë kjo fjalë do të thotë se: shefi juaj 1) nuk është impulsiv, 2) ka vlerësuar opsione të ndryshme, 3) reflekton mbi gjërat. Fjalët të cilat tregojnë veprim ofrojnë të dhëna mbi mënyrën me të cilën mendon një person.
9. Përcaktoni bazat e personalitetit të tij
Çdokush prej nesh ka një personalitet unik, por ka disa linja, të cilat mund t’iu ndihmojnë ta “lexoni” atë që keni përballë:
▪ A janë marrëdhëniet me të tjerët pikë nismëtare për veprat e tij?
▪ A ka ky person një sjellje introverse apo ekstroverse?
▪ Në çfarë mënyre e menaxhon rrezikun dhe pasigurinë?
▪ Çfarë tregon egoja e tij?
▪ Si sillet kur është nën stres?
▪ Po kur është i qetë?
Kini parasysh që është e nevojshme koha në mënyrë që të mësoni që t’i lexoni në mënyrë shembullore njerëzit.
Natyrisht, për çdo rregull ka përjashtim. Mirëpo, nëse i përmbaheni këtij parimi, mund të përmirësoni shkathtësitë tuaja të vëzhgimit dhe aftësitë që t’i kuptoni njerëzit, që do t’ju mundësojnë komunikim më efikas dhe më të mirë. /Telegrafi/
Discussion about this post