Keni menduar ndonjëherë të bëni akullore vetë në shtëpi? Ju sigurojmë që është më e thjeshtë nga sa mendoni. Nuk do t’ju marrë më shumë se 30 minuta, ndërsa për koston mos u shqetësoni, pasi nuk ju shkon më shumë se 300 lekë. Recetën e sjell Erida Kabashi.
Ju duhen vetëm 3 përbërës:
• 200 ml pana për ëmbëlsira
• 150 gr qumësht i kondesuar (qumësht panda)
• luleshtrydhe
Shënim: Përbërësi i tretë është sipas dëshirës. Në këtë rast Erida, ka zgjedhur akullore me luleshtrydhe.
Mënyra e përgatitjes:
Fillimisht përgatisni reçelin e luleshtrydheve – 250 gr luleshtrydhe i zieni me 6 lugë sheqer për 20 minuta. (Këtë reçel mund ta përdorni dhe për ëmbëlsira të tjera.)
Më pas, rrihni panën, por jo siç bëni zakonisht për ëmbëlsira. Duhet të bëhet si shkumë, afërsisht 4-5 minuta mjaftojnë. Bashkoni më pas panën me qumështin e kondesuar duke i përzier me një spatul, derisa masa të bëhet e njëtrajtshme. Shtoni reçelin e luleshtrydheve, fillimisht gjysmën, pastaj në varësi se sa të fortë e doni shijen. Pasi është përzier mirë (si në video) kalojeni në një enë plastike. Mund t’i hidhni pak reçel luleshtrydheje sipër ose ta dekoroni si të doni.
Futeni në ngrirje të mbyllur me kapak për 4 orë (kjo varet edhe nga frigoriferi, pasi mund të mjaftojnë edhe 3 orë ose mund të duhen 5)./Gazeta Mejdani/.