Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës Milaim Zeka, në rubrikën Sytë 7 të emisionit të mëngjesit në Klan Kosova ka folur për situatën politike të krijuar pas rrëzimit të qeverisë dhe pandemisë me Covid-19.
Zeka ka komentuar pranimin e 1 mijë testeve nga Serbia.
Ai tha se kjo i ka bërë një reklamë Serbisë në mediat botërore si një vend human që iu rri pranë shqiptarëve.
“Qytetarët e Kosovës dhe diaspora janë shokuar si janë pranuar ky donacion prej 35 mijë euro dhe i ka dhënë Serbisë nja 300 milionë euro reklama, mediat botërore e kanë paraqitur shtetin serb se si shteti human dhe po i ofron ndihmë shqiptarëve të Kosovës .Nuk ka pasur nevojë që në këtë pandemi me ra në grackë të një shteti 350 vjeçar serb që i bën matematikat më të mira si me i krijua autoritetin e vet, se shihni se ne po ju qëndrojmë afër “.
Zeka shtoi se përgjigja e kryeministrit Albin Kurti për këtë rast ishte skandaloze.
“Skandali tjetër është përgjgija e kryeministrit që tha se nuk e di se si kanë hyrë këto doancione. Mbrëmë doli skandali i tretë se këto donacione kanë hyrë me anë të makinës së Marko Gjuriqit”.
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës theksoi se me futjen e mjekëve serb në Kosovë, Qeveria Kurti ka bërë vepër penale, pasi që ata po punojnë pa licencë.
“Qeveria e Albin Kurtit ka bërë vepër penale tek rasti i mjekëve serb. Ata janë lëshuar të hyjnë në Kosovë pa licencë. Këta mjekë po punojnë në Kosovë pa licencë “.
Zeka pati kritika edhe për kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e cilësuar si menaxher shumë të dobët.
“Albin Kurti e tregoi që për 51 ditë është treguar një menaxher totalisht i dobët. U konfrontua brenda dhe jashtë. Edhe e rrëzuan edhe e poshtëruan edhe me 83 vota ia treguan vendin “.
Ai tutje foli edhe për formimin e qeverisë së re.
Milaim Zeka shtoi se mënyra se si e ka menaxhuar qeverinë Albin Kurti ka qenë më e rrezikshme se sa pandemia globale.
“Do të ndodhë nesër ose pasnesër presidenti do të ia jep mandatin një partie tjetër. Ai nuk do ta pret Kurtin. Presidenti iu ka drejtuar me katër letra atij Kurti është tallur duke u përgjigjur se Thaçi po e shkelë Kushtetutën. Nëse veq për moment Albin Kurti e mendon se Hashim Thaçi po e shkelë Kushtetutën ai nuk do të kishte fol, por do ta linte të futet në penall edhe do ta shkarkonte Por, për arsye se presidenti nuk po e shkelë Kushtetutën e ka alarmuar Kurtin dhe akterët e tjerë brenda Lëvizjes Vetëvendosje “.
“Brenda 51 ditëve si e ka menaxhuar qeverinë Albin Kurti, ka qenë më e rrezikshme se sa pandemia gobale. Asnjëherë nuk ka pasur konfrontime më shume me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Në fund Zeka theksoi se mandatari për formimin e qeverisë do t’i takoj Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Mandatari do t’i takoj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Janë dy emra të lakueshëm Avdullah Hoti dhe Kujtim Shala, të dy njerëz të mirë të LDK-së. Një Qeveri do të ketë derisa të kaloj mandati i presidentit Thaçi. Kjo qeveri do të qëndroj një vit deri një vit e gjysmë. Do të duhet të ishte qeveri e marrëveshjes më Serbinë, sepse nuk mund të mendojmë pafundësisht dhe të jemi në luftë me Serbinë”.