Grupi i ashtuquajtur Shtet Islamik, i njohur shkurt edhe si ISIS, i është lutur Zotit që t’ua shtojë vuajtjet e koronavirusit pabesimtarëve.
Ky grup e ka lëshuar një njoftim përmes kanalit “al-Naba”. Njoftimi erdhi pas dokumentit të mëparshëm me udhëzime për anëtarët e vet në lidhje me hapat që duhet të merren për t’u mbrojtur nga virusi.
Në shkrimin e këtij grupi thuhet se Zoti ka vendosur një pjesë të dënimit të dhembshëm në kombet që i ka krijuar, duke pretenduar se koronavirusi është përgjigjja e Zotit ndaj popujve që adhurojnë dikë a diçka tjetër.
Më pas, në këtë publikim i bëhet lutje Zotit që t’i shtojë vuajtjet e koronavirusit ndaj të gjitha kombeve që nuk besojnë dhe t’i mbrojë besimtarët nga ky dëm, shkruan “Daily Mail”, transmeton Express.
“E lusim Zotin që t’ua shtojë vuajtjet (popujve pabesimtarë) dhe t’i mbrojë besimtarët nga to”, thuhet në shkrim.
“Vërtet Zoti është i ashpër në dënim ndaj atij që rebelohet dhe i mëshirshëm ndaj atij që i nënshtrohet dhe qëndron me Zotin”, thuhet më tej.
Grupi famëkeq tashmë i ka humbur të gjitha territoret e mëdha në Irak dhe Siri, por besohet se ende i ka disa grupe aktive.