Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se në lidhje me ndihmat e mundshme në rast nevoje për të përballuar situatën e shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19), kanë paraqitur një listë me kërkesa për shtetin turk.
Gjatë një emisioni televiziv në Shqipëri, Rama tha se ka biseduar me Presidentin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin tha se është në kontakt të vazhdueshëm.
“Ne kemi prej kohësh, jo tani, prej dy javësh vendosur në tavolinën e shtetit turk alternativën, pra një listë me kërkesa në rast se do të përmbyset bota dhe nuk do të ketë më asnjë mundësi komunikimi me askënd. Ne mendojmë që atë pjesën kritike, atë gjënë që duhet me e pas të garantuar për një plan C, duhet që ta kemi të garantuar dhe e kemi të garantuar me Turqinë”, është shprehur Rama.
Ndërkohë, shefi i Tiranës zyrtare ka prezantuar në një komunikim të publikuar në rrjetet sociale edhe planin për adresimin e nevojave për financim të atyre që janë prekur drejtpërdrejtë në ekonominë e tyre, duke përfshirë institucione, biznese, por edhe familje në nevojë.
Plani qeveritar përfshin fonde për Ministrinë Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për pajisje e materiale mjekësore apo mbështetje të stafeve mjekësore, për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve, për shtresat më në nevojë dhe për biznesin e vogël.
Kujtojmë se numri në total i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Shqipëri është rritur në 64, prej të cilëve 3 janë shtetas italianë që ndodhen aktualisht në Shqipëri, mes tyre edhe 2 persona që kanë ndërruar jetë.
Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve me disa vende dhe i transportit urban, i qarkullimit të automjeteve private dhe i aktiviteteve futbollistike, si dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Që nga shpërthimi në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, sëmundja e njohur si COVID-19 ka shkaktuar mijëra të vdekur në mbarë globin. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka shpallur atë një pandemi globale. / AA