Numri i vdekjeve në shkallë botërore nga koronavirusi i ri (COVID-19), i cili u shfaq më 12 dhjetor në qytetin Wuhan të Kinës dhe më pas u përhap gati në të gjithë botën, ka arritur në rreth 4.300 dhe i rasteve të konfirmuara në mbi 118.000.
Në Itali, vendi evropian më i prekur nga koronavirusi i ri (COVID-19) me rreth 10.000 raste të konfirmuara, numri i vdekjeve është rritur në 631. Plot 168 vdekje të reja janë regjistruar në Itali gjatë 24 orëve të fundit, shifra më e lartë kjo që nga shpërthimi i epidemisë në këtë vend.
Në Rumani, ku numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus është rritur në 29, janë ndërprerë të gjitha udhëtimet me avionë e autobusë drejt Italisë dhe anasjelltas. Po ashtu janë pezulluar të gjitha organizimet me pjesëmarrje më të lartë sesa 1.000 persona.
Të gjitha shkollat në rang vendi janë shpallur pushim deri më datë 22 mars, ndërsa teatrot shtetërore do të jenë mbyllur deri më 31 mars.
Ndërkaq, qytetarëve të mbajtur në karantinë të detyruar në shtëpitë e tyre do t’u vihen byzylykë elektronikë për të kontrolluar nëse ata shkelin karantinën duke dalë jashtë banesave.
Kurse në Holandë, ku vdekjet nga koronavirusi janë 4 për momentin, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se numri i të infektuarve është rritur me 61 persona duke shkuar në 382. Ministria e Punëve të Jashtme gjithashtu paralajmëroi që qytetarët holandezë të mos udhëtojnë sidomos në zonat veriore të Italisë.
Në Francë, një prej vendeve më të prekura nga epidemia COVID-19 në Evropë, numri i vdekjeve arriti në 33 dhe i rasteve të konfirmuara në 1.784, përfshi këtu edhe ministrin e Kulturës, Franck Riester.
Takimet në ligat 1. dhe 2. të futbollit francez u vendos që të luhen pa spektatorë deri më datë 15 prill.
Rastet e konfirmuara kanë shënuar rritje edhe në Spanjë, ku deri tani kanë humbur jetën 35 veta dhe janë infektuar 1.700 të tjerë.
Qeveria spanjolle vendosi ndërprerjen e të gjitha fluturimeve drejt Italisë dhe anasjelltas deri më datë 25 mars. Të paktën një javë do të qëndrojë mbyllur edhe Parlamenti i vendit. Ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa, bëri me dije se të gjitha ndeshjet e ligës 1. dhe 2. të futbollit e basketbollit, si dhe takimet ndërkombëtare të sporteve në fjalë, do të zhvillohen pa spektatorë. Në sfidat e futbollit nuk do të mund të hyjnë madje as gazetarët.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) të Shqipërisë njoftoi se është regjistruar vdekja e parë dhe numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në vend është rritur në 12, ndërsa Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) vendosi që të gjitha ndeshjet të luhen pa spektatorë. Autoritetet deklaruan gjithashtu të martën ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha udhëtimeve ajrore dhe detare ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, njoftoi se në institucionet arsimore publike dhe jopublike në të gjithë vendin është vendosur ndërprerja e procesit mësimor për 2 javë. Ai theksoi edhe se për 2 javë janë pezulluar gjithashtu të gjitha organizimet me pjesëmarrje më të lartë sesa 1.000 persona, ndërsa të gjitha garat sportive në shkallë vendi do të zhvillohen pa spektatorë për një periudhë 30-ditore.
Në Republikën Serbe (RS), një prej dy entiteteve të Bosnjë-Hercegovinës dhe zona ku u regjistruan rastet e para me COVID-19 në vend, procesi arsimor u ndërpre për 21 ditë në të gjitha shkollat.
Federata e Futbollit të Bosnjë-Hercegovinës (NSBiH) njoftoi nga ana e saj se të gjitha ndeshjet do të luhen pa spektatorë për të paktën 2 javë.
Instituti i Shëndetit Publik të Mbretërisë së Bashkuar, ku vdekjet nga koronavirusi i ri kanë shkuar në 6, deklaroi se numri i rasteve të konfirmuara është rritur me 54 në 24 orët e fundit duke shkruar në gjithsej 373. Në mesin e të infektuarve është edhe nënsekretarja parlamentare e Shtetit për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale, Nadine Dorries.
Ndërkohë, kompanitë ajrore britanike njoftuan gjithashtu ndërprerjen e të gjitha fluturimeve drejt Italisë.
Kurse në Gjermani, ku epidemia COVID-19 u ka marrë jetën 2 personave dhe ka prekur 1.296 të tjerë, Kancelarja Angela Merkel deklaroi se lufta e vendit të saj me koronavirusin do të jetë e gjatë dhe se 60-70 për qind e gjermanëve mund të infektohen.
Duke rikujtuar vendimin për të luajtur pa spektatorë shumë ndeshje të ligës 1. gjermane të futbollit (Bundesliga), Merkel vuri në pah po ashtu se më shumë aktivitete do të duhet të anulohen për të ngadalësuar përhapjen e virusit.
Në Greqi, ku numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus është rritur në 89, qeveria vendosi që të ndërpresë procesin mësimor në të gjitha institucionet e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë për 14 ditë si masa preventive kundër përhapjes së mëtejshme të epidemisë së rrezikshme. Athina zyrtare ndaloi gjithashtu vizitat në azile dhe shtëpitë e kujdesit për të moshuarit.
Mes personave të infektuar është edhe armatori i famshëm, Evangelos Marinakis, biznesmen e pronar i klubit të futbollit të Olimpiakosit. Zyrtarët grekë bënë me dije se koronavirusi ka mbërritur edhe në ishullin e Lesbosit, ku aktualisht ka mijëra refugjatë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë së Çekisë, numri i rasteve të konfirmuara me COVID-19 në vend është rritur në 41.
Numri i të infektuarve është rritur në 6 në Bullgari.
Kurse në bazë të statistikave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë së Polonisë, në vend ka 20 perona të infektuar me koronavirus, mes të cilëve edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Jaroslaw Mika.
Në Austri, ku numri i rasteve të konfirmuara është rritur në 182, Komuniteti Mysliman i Austrisë (IGGO) bëri me dije se falja e namazit të xhumasë është anuluar në të gjitha xhamitë e vendit deri në fund të marsit në kuadër të masave qeveritare për të parandaluar përhapjen e llojit të ri të koronavirusit.
Vdekja e parë nga epidemia COVID-19 u regjistrua edhe në Nju-Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteti i dytë amerikan ku të hënën u shpall gjendje emergjente, pas Nju-Jorkut.
Të dhënat e fundit në SHBA flasim për të paktën 27 të vdekur dhe mbi 700 të infektuar.
Prefekti i Nju-Jorkut, Andrew Cuomo, deklaroi se një njësi ushtarake do të dërgohet në zonën e Nju-Roshelës, e cila është edhe pikënisja e epidemisë së koronavirusit të ri në metropolin më të madh të SHBA-së.
Në Panama, 1 qytetar ka gjetur vdekjen nga epidemia COVID-19 dhe numri i të infektuarve është rritur në 8.
Kurse në Bolivi, një tjetër shtet i Amerikës Latine, u regjistruan 2 rastet e para me koronavirus në vend.
Anembanë rajonit të Amerikës Latine, rastet e konfirmuara janë 19 në Argjentinë, ku është regjistruar edhe vdekja e parë; nga 17 në Kili dhe Ekuador, 25 në Brazil, 7 në Meksikë, 11 në Peru, 3 në Kolumbi, 13 në Kosta-Rikë dhe nga 5 në Republikën Dominikane e Paraguai.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vendosi të anulojë të gjitha mbledhjet deri më datë 20 mars, pasi një punonjës i saj rezultoi pozitiv në testet e koronavirusit të ri.
Kombet e Bashkuara gjithashtu do të mbyllin vizitat si masë kundër përhapjes së COVIS-19.