Maria Sharapova ka njoftuar se është tërhequr nga sporti i tenisit, në moshën 32-vjeçare.
Ish-numri një në botë te femrat, ka zbuluar vendimin e saj ekskluzivisht për revistat Vogue dhe Vanity Fair, transmeton Insporti
Në artikujt e të dyja revistave, shkrimi kishte titullin “Tenis – po them lamtumirë”.
Sharapova, që ka fituar pesë tituj të Grand Slamit, ka pasur telashe me lëndime dhe tani ka vendosur që t’i japë fund karrierës.
Gazetari sportiv që mbulon tenisin në New York Times, Christopher Clarey, këtë lajm e bëri të ditur përmes platformës ‘Twitter’.
“Raportojmë se Maria Sharapova po pensionohet nga tenisi profesionist, në moshën 32-vjeçare. Nuk është mërzitur nga loja por është lodhur nga të luftuarit vetë trupin e saj. Dikur numri 1, ajo ka fituar 5 Grand Slam-e dhe ka fituar dhjetëra miliona, brenda e jashtë fushe. Falë fuqisë së vullnetit dhe personalitetit të saj ajo ishte një nga yjet e vërtetë të këtij sporti”.
“Maria është shumë e zgjuar, shumë e ditur, shumë profesionale, ndoshta profesionistja më ideale”, tha Steve Simon, CEO i WTA – Women’s Tennis Association (Shoqatës së Tenisit të Femrave). /Insporti.com/