Bashkimi Evropian, i kërkoi Beogradit që të përmbushë angazhimet në rrugën e anëtarësimit në BE, disa ditë pasi në Serbi arriti dërgesa e parë e sistemit rus të mbrojtjes ajrore.
“Në mënyrë që të ecim përpara në rrugën e integrimit evropian, Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian në përputhje me kornizën e bisedimeve”, tha për Zërin e Amerikës, Peter Stano, zëdhënës i Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
“Qeveria serbe e ka vendosur integrimin në Bashkimin Evropian si një përparësi strategjike të vendit. Ne presim që Serbia të përmbushë angazhimet e saj”, tha Stano.
Marrëveshja për blerjen e këtij sistemi raketor rus u arrit gjatë një stërvitjeje të përbashkët ushtarake Rusi-Serbi, e mbajtur në tetor të vitit 2019.
Siç u njoftua në atë kohë, të dyja palët ranë dakord që Serbia të blejë gjithsej gjashtë sisteme “Pancir S”.
Më parë, nga NATO-ja thanë se “blerjet në fushën e mbrojtjes janë vendim kombëtar” dhe se Serbia “ka të drejtë të zgjedhë lirisht marrëveshjet e saj politike dhe të sigurisë.
“NATO-ja dhe Serbia janë partnerë dhe ne jemi të përkushtuar për forcimin e partneritetit tonë me Serbinë, me respekt të plotë për politikën e saj të paanshmërisë”, tha NATO përmes një deklarate.
Gjatë fundjavës, Serbia ka pranuar një dërgesë të sistemeve të mbrojtjes ajrore ruse “Pancir S”, megjithë paralajmërimet për sanksione të mundshme nga ana e SHBA-së kundër shtetit të Ballkanit, i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e bëri njoftimin më 23 shkurt, një ditë pasi ministria e Mbrojtjes konfirmoi marrjen e dy prej gjashtë sistemeve kundër- ajrore, raporton rel.
“Serbia forcoi aftësitë e saj mbrojtëse dhe parandaluese”, tha ministria e Mbrojtjes përmes një deklarate.
Serbia ka rritur shpenzimet e mbrojtjes çdo vit, që nga viti 2016.
Vitin e kaluar, ka shpenzuar 906 milionë dollarë, ose 28.7 përqind më shumë, për mbrojtje sesa një vit më parë, sipas Institutit Ndërkombëtar të Studimeve Strategjike./Gazeta Mejdani/