Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur sot në qytetin e Gjilanit, atje një zyrtare e Policisë së Kosovës, Valdete Bllaca, ka vrarë të gjithë anëtarët e familjes dhe më pas edhe veten.
Valdete Bllaca e cila ishte zyrtare aktive e policisë së Kosovës, ka vrarë babain e saj Zeqir Bllaca i cili ishte e moshës 70 vjeçare, nënën Hanife Bllaca 66 vjeçare, dy vëllezërit e saj, Blerim Bllaca 43 vjeçar dhe Fisnik Bllaca 34 vjeçar.
Pasi kreu vrasjen e familjarëve të saj, dyshohet se 45 vjeçarja Valdete Bllaca, vrau edhe veten, i gjithë ky krim i rëndë ndodhi me armën e saj zyrtare.
Sipas fqinjëve të familjes Bllaca, përmendet që çështjet pronësore mund të jenë shkaku i kësaj vrasje. Ata kanë thënë për gazetarët se ishte mosmarrëveshja për një banesë të cilën e posedonte familja.
Ngjarja e rëndë ndodhi sot rreth orës 13:00 tek lagjja ‘Bujanina’ në Gjilan, ku nga qytetarët po thuhet se është një prej vrasjeve më makabre në historinë e këtij qyteti.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ju njofton se sot rreth orës 13h, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund e njëjta ka kryer vetëvrasje. Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen ‘’Bujanina’’, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Për ngjarjen e rëndë ka folur edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri i cili ka deklaruar se familjen Bllaca e njeh dhe ka qenë shumë bujare, ai tha se ka propozuar që të mbahet një ditë zie në Gjilan pas kësaj ngjarje të rëndë.