Për shkak të vonesave të formimit të Qeverisë dhe Kuvendit, buxheti i vitit 2020 i Kosovës ende nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës, ndërsa 31 marsi është afati i fundit për ta bërë një gjë të tillë
Pas kërkesës së ministrit të Financave, Besnik Bislimi, deputetët e Kuvendit të Kosovës me 100 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kanë votuar që ndarja buxhetore për vitin 2020 të zgjatet për muajin mars, raporton Anadolu Agency (AA).
Po të mos ishte 2019-ta vit zgjedhor, Qeveria e Kosovës do të duhej ta miratonte buxhetin e vitit 2020 deri më 31 tetor në bazë të Ligjit për menaxhimin e financave publike, derisa afati i fundit kur kuvendi miraton buxhetin e Kosovës ka qenë 31 dhjetori.
Nëse buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, atëherë në bazë të procedurave ligjore, kuvendi me anë të një vendimi mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal, për jo më gjatë se tre muaj.
Me autorizimet ligjore, Ministria e Financave në qeverinë e kaluar pati bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e mjeteve për organizatat buxhetore për dy muajt e parë të vitit 2020, mirëpo sipas ministrit aktual Bislimi, kjo shumë ka mjaftuar deri më datën 28 shkurt.
Sot në seancë plenare, ministri i Financave dhe Transfereve, Bisnik Bislimi në arsyetimin e kësaj kërkese ka thënë se kërkesa për vazhdimin e zbatimit për ndarje buxhetore do të siguroj vazhdimësi të kryerjes së obligimeve shtetërore.
“Kjo shumë ka mjaftuar vetëm për mbulimin e shpenzimeve deri më datën 28 shkurt. Nga vlerësimet tona preliminare por edhe ecuritë e ekzekutimit të buxhetit për muajin janar lidhur me shpenzimet e buxhetit për vitin 2020 konstatojmë se zgjatja e ndarjeve buxhetore për 1/6 e buxhetit të vitit 2019 nuk ka qenë e mjaftueshme për përmbushjen e obligimeve ligjore për kategoritë e subvencioneve, përkatësisht skemave sociale dhe pensioneve, atyre bazike kontributdhënësve, për invalidët e luftës dhe veteranët”, tha Bislimi.
Në mars, është koha përfundimtare e lejuar për shpenzim të buxhetit dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020.
Pas kësaj date, Kosova futet në krizë buxhetore, pasi asnjë organizatë buxhetore ose autoritet tjetër publik nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore.
Ndryshe, në seancë është dështuar të votohet për konstituimin e 14 komisioneve parlamentare, për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i bëri thirrje Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që t’i dekretojë deputetët e rinj që kanë zënë vendet e ministrave të kabinetit qeverisës sa më shpejtë, mungesa e të cilëve solli dështimin e këtij votimi.