Gjashtë fëmijë dhe nëna e tyre kanë vdekur si pasojë e një zjarri të madh që shpërtheu në shtëpinë e tyre të shtunën në Mississippi të Shteteve të Bashkuara. Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë njëvjeçar.
Zjarrit të tmerrshëm në qytetin Clinton i mbijetoi vetëm babai i fëmijëve. Ai u dërgua në spital pasi pësoi djegie të shkallës së dytë dhe dëmtim të organeve të frymëmarrjes si pasojë e thithjes së tymit, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet janë duke e hetuar shkaktarin e zjarrit. Zyrtarët lokalë thanë se nuk ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme, por besohet se shkaktar i zjarrit ka qenë një defekt në rrjetin e rrymës.
Shtëpia e djegur ishte ndërtuar në vitin 1951, ndërsa në dritare kishte grila kundër hyrjes së hajnave, gjë që mund t’ua ketë pamundësuar gruas dhe fëmijëve daljen dhe ikjen nga zjarri.
Gruaja ishte 33-vjeçare dhe punonte si mësuese në një shkollë fillore, ndërsa fëmijët – pesë djem dhe një vajzë – ishin nga mosha 1 deri 15-vjeçare.
Trupat e pesë fëmijëve u gjetën afër njëri tjetrit në një dhomë, ndërsa gruaja me një fëmijë tjetër u gjetën në një dhomë tjetër. Babai i fëmijëve pësoi djegie përderisa mundohej ta shpëtonte familjen nga zjarri.