Në gusht të vitit 2018, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës u emërua, Rashit Qalaj.
Katër hetues të krimeve ekonomike e korrupsionit, përfshirë Sylë Bejtën, Naim Thaçin, Lavdim Osmanin, Lutfi Menxhiqin, janë arrestuar brenda disa muajve pasi janë të përfshirë në veprime të kundërligjshme përfshirë edhe haraçin ndaj bizneseve. Drejtoria e Përgjithshme e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit, udhëhiqet nga Bashkim Spahiu, që është krahu i djathtë i drejtorit të përgjithshëm të policisë Rashit Qalaj.
Disa muaj pasi mori drejtimin e policisë, në tetor të atij viti, Qalaj emëroi krahun e tij të djathtë, Bashkim Spahiu drejtor i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, duke zëvendësuar kështu Nazim Sahitin, që ishte i përfshirë në disa skandale.
Që nga ajo kohë të paktën 4 hetues të këtij departamenti të rëndësishëm të policisë së Kosovës janë arrestuar për përfshirje në vepra të rënda penale si “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorim i informatës zyrtare”, “Ryshfet ndaj bizneseve”.
Mbrëmë Inspektorati Policor arrestoi tezakun e Bashkim Spahiut, Lavdim Osmani i cili si udhëheqës i Krimeve Ekonomike në Prishtinë, dyshohet se ka qenë udhëheqësi i një grupi të policisë, të cilët u kanë vënë haraç bizneseve.
Ai dyshohet se ka hetuar shumë kompani, për t’ua mbyllur më pas rastet vetëm në këmbim të parave, shkruan Gazeta Insajderi.
Hetuesit që u përfshinë në skandalin me patentë shofer
Sylë Bejta dhe Naim Thaçi, të dy hetues policorë të departamentit të krimeve ekonomike, janë arrestuar nën dyshimin se kanë manipuluar me provat e rastit të patentë shofereve.
Arrestimi i tyre u bë, në korrik të vitit të kaluar.
Dy hetuesit policorë të departamentit të krimeve ekonomike, u zbuluan se janë të përfshirë në skandalin me patentë shofer përmes përgjimeve që bëheshin në qendrën për patentë shofer në Prishtinë.
Përgjimet zbuluan se Thaçi e Bejta, u kishin dhënë informacione të hetimeve, zyrtarëve të qendrës së patentë shoferëve.
Sipas prokurorisë, pasi që njësia e Krimeve Ekonomike kishte nisur hetim për qendrën e patentë-shoferëve, të dy hetuesit kishin shkuar në zyrën e njërit nga të dyshuarit, dhe e kishin njoftuar për nisjen e hetimeve.
Ata madje i kishin paralajmëruar zyrtarët e qendrës së patentë shoferëve se ishin nën përcjelljen e policisë.
Dy hetuesit, Thaçi e Bejta, dyshohen se me këto veprime kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorim i informatës zyrtare”.
Pas arrestimit gjykata u kishte shqiptuar atyre masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji.
Për skandalin e patentë shoferëve, arrestuan 23 persona në mesin e tyre edhe zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës.
Ata dyshoheshin se u kanë mundësuar personave të interesuar që të pajisen me patentë shofer të kategorive të ndryshme pa kaluar nëpër testet e nevojshme, në kundërvlerë të parave varësisht prej kategorisë së patentë shoferit (400 – 1000 €).
Krye hetuesi i Prishtinës bossi i grupit që u kërkonte haraç bizneseve
Inspektorati Policorë, mbrëmë e kapi në flagrancë Lavdim Osmanin, udhëheqës i Krimeve Ekonomike në Prishtinë, duke marrë mbi 1 mijë euro nga një qytetar, i cili po ashtu u arrestua.
Gazeta Insajderi ka mësuar se Osmani si krye hetues i Prishtinës ka qenë udhëheqësi i një grupi të policisë, të cilët dyshohet se u kanë vënë haraç bizneseve.
Ai dyshohet se ka hetuar shumë kompani, për t’ua mbyllur më pas rastet vetëm në këmbim të parave.
Osmani është tezak i Bashkim Spahiu, drejtor i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës.
“Me të arrestuarin e IPK-së kam një relacion familjar. Do të thotë jemi tezak. E për më shumë nuk isha lëshu që të komentoj”, ka thënë Spahiu në konferencën e sotme për media.
Në aksionin e Inspektoratit policorë u arrestua edhe hetuesi i dytë i krimeve ekonomike, Lutfi Menxhiqi.
Gjatë bastisjes në dy lokacione Prishtinë e Vushtrri, janë gjetur prova se Menxhiqi ka qenë i përfshirë në këtë grup.
Inspektorati Policor i Kosovës, ka konfirmuar se arrestimet e mbrëmshme kanë ardhur pas dëshmive se hetuesit janë përfshirë në veprime të kundërligjshme.
Sipas IPK-së me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, nisi operacioni i koduar me emrin “Ryshfeti”.
“Zyrtari policor me inicialet L.O (zyrtar policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit) është arrestuar nga hetuesit e IPK-së me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar””.
“Në vazhdën e veprimeve hetimore, operacioni “Ryshfeti” ka vazhduar me bastisje në dy lokacione të ndryshme (një në Prishtinë dhe tjetri në Vushtrri) ku janë gjetur prova të konsiderueshme dhe është arrestuar edhe i dyshuari tjetër – zyrtari policor me inicialet L.M (rreshter policor në Drejtorinë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit)”.
Rreshteri policor është arrestuar me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të armëve”.
Të arrestuarve në këtë rast nga Inspektorati Policor me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Aksioni ka vazhduar edhe sot, gjatë të cilit është arrestuar edhe një zyrtarë i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Arben Mustafa, kryeinspektor në Inspektoratin e Agjencisë së Regjistrimit Civil, dyshohet se është i përfshirë edhe ai në këtë grup, që kanë marrë ryshfet dhe kanë keqpërdorur detyrën për të krijuar favore në disa raste që të dyshuarit i kanë pasur nën hetim.
Ndaj tij, kishin nisur hetimet para tre muajve. Ai ka qenë i përfshirë në skandalin e shitjes së nënshtetësive për disa kriminel të huaj që ishin të dënuar për vepra të rënda penale, përfshirë vrasje, drogë etj. /Insajderi.com/