Me nderime të larta policore, sot i është dhënë lamtumira e fundit policit që vdiq tragjikisht dje në Prizren, Sami Thaqi.
(E plotësuar – 15:34)Sami Thaqi, që pak minuta më parë u shpall “Hero i Kosovës” varroset në varrezat e fshatit të tij të lindjes.
Në këtë ceromini mortore morën pjesë një numër i madh i pjesëtarëve të Policisë dhe Ushtrisë së Kosovës.
(E plotësuar – 15:22)Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj tha se Sami Thaqi do të ndahet vetëm fizikisht nga kolegët e tij, ngase vepra e policit të rënë nuk vdes kurrë.
“Samiu ndahen vetëm fizikisht nga ne. Sakrifica e tij e shokëve të tij për të dëshmuar që ky vend ka liri dhe mbrojtje, është vepër që nuk vdes kurrë. Ne do të jemi krenarë për shëmbëlltyrën e tij. Më lejoni që në emër timin dhe të gjithë qytetarëve të shpreh ngushëllime për vdekjen e Sami Thaqit”, tha ai.
(E plotësuar – 15:18)Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj tha se shembulli i Sami Thaqit do të jetë vetëm shtysë për kolegët e tij në punën e tyre, që të njëjtit mos të ndalen asnjëherë në luftimin e krimit dhe korrupsionit.
“Samiu ishte motivues për të tjerët, sepse guximi i tij motivonte edhe kolegët që i kishte afër. Ky rast nuk do të na zbraps, por ne do të vazhdojmë fuqishëm lufitimin e krimit. Dëshiroj që të shprehë ngushëllimet e mija më të sinqerta, duke iu siguruar që unë dhe Policia e Kosovës do të jemi gjithmonë afër jush”, tha ai.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, në këtë ceremoni tha se Thaqi u inkuadrua më 15 janar të vitit 2005 në Policinë e Kosovës.
“Duke qenë gjithëherë i gatshëm për t’i shërbyer vendit, njëherë si pjesëtar i UÇK-së, e më pastaj si pjesëtar i policisë së Kosovës. Ai në Policinë e Kosovës u inkuadrua më 15 janar të vitit 2005. Ai ka shërbyer në sektore të ndryshme, nga Njësia Speciale deri në Njësitin për Hetimin e Narkotikëve. Duke qenë gjithëherë i gatshëm për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve, ai ra heroikisht në kryerjen e detyrës zyrtare”, tha ai.
Të pranishëm në ceremoninë e varrimit ishin figura të njohura politike dhe qytetarë nga e gjithë Kosova, shkruan lajmi.net.
Varrimi i Thaqit u bë në fshatin Shkarashnik të Malishevës.
Thaqi vdiq dje tragjikisht në një aksion bastisjeje të Policisë së Kosovës në fshatin Zhur të Prizrenit, pas një shpërthimi.
I arrestuar si i dyshuar në këtë rast është një person, mirëpo i njëjti nga hetimet fillestare nuk është duke u hetuar për veprën penale të vrasjes, por atë të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm. /Lajmi.net/