Me Brexit-in zhvendosen raportet e forcave në Europë. Peshë ka jo vetëm aksi gjermano-francez, Gjermania duhet t’i përkushtohet Europës Lindore e Qendrore, për të ruajtur influencën e saj në BE.
Shkruan: Boris Kalnoky
Më 2020 BE do të zvogëlohet dhe politika e saj do të bëhet edhe më e ashpër. Britanikët do të largohen përfundimisht. E kjo ka pasoja për raportin e forcave në BE. Po konturohet gradualisht një distancim prej aksit gjermano-francez si qendër vendimtare pushteti dhe një kthim tek strukturat historike. Ndër to bën pjesë edhe krijimi i një blloku europiano lindor-qendror, pikërisht në pjesën ku dikur qeverisnin Habsburgasit: grupi i Vishegradit me Hungarinë, Poloninë, Çekinë dhe Sllovakinë si dhe me vendet e tjera të rajonit të lidhura gjithnjë e më ngushtë me të.
Vendi i Gjermanisë në BE?
Gjermania duhet t’i shtrojë pyetjen vetes, se ku e ka vendin në Europë? Konfigurimi i ardhshëm i unionit varet prej këtij vendimi. Politikanët gjermanë shpesh hiqen sikur nuk janë ata drejtuesit e qendrës së pushtetit në kontinent. Por vendet e tjera e dinë këtë fare mirë. Kjo është një ndër arsyet, se përse britanikët po i lenë lamtumirën BE-së: sepse ata e ndjejnë dominancën gjermane dhe nuk duan që të jenë të lidhur pas strukturave të tilla.
2019 ishte një vit i fërkimeve të vazdhueshme mes Parisit dhe Berlinit: fillimi i përballjeve për dominancë në një BE të re kontinentale. Edhe francezët e ndjejnë, që Gjermania në të ardhmen mund ta dominojë politikisht kontinentin më qartë se çdo herë tjetër më parë që pas Luftës së Dytë Botërore, ndaj përpiqen të mbrohen prej kësaj. Me receta, që janë përdorur edhe prej de Gaulle, Mitterrand e të tjerëve presidentë francezë: ta kushtëzojnë Gjermaninë në struktura, që nuk lejojnë rrugë të mëvetsishme. E në këto struktura duan që mundësisht të zenë vet pozicione kyçe. Thitrrja e Macron-it për një ushtri europiane ishte një hap i tillë. Franca si një fuqi e vetme atomike në perëndim të kontinentit dhe si i vetmi vend me vullnet të qartë për të ndërhyrë edhe ushtarakisht jashtë vendit, do ta dominonte një ushtri të tillë.
Gjermania ndërkohë e sheh veten në lindje përballë një realiteti të ri e të vjetër: vendet e Europës Qendrore, ku dikur shtrihej Perandoria e Habsburgasve, ofrohen si aleate. Zhvillimi vendimtar i viteve të fundit në Lindje nuk ishte debati verbal me Berlinin për tema si migracioni, shteti ligjor dhe integrimi europian, por insistimi i europiano lindorëve e qendrorëve, që Gjermania t’i pranojë si partnerë strategjikë. E bashkë me ta t’i kthehet parimeve të një politike realiste e pragmatike të influencës dhe interesave, në vend të predikimit të vazhdueshëm të moralit. Këto vende ofrohen për të forcuar pushtetin e Gjermanisë në Europë, në rast se Gjermania u ofron diçka në këmbim atyre.
Grupi i Vishegradit
Ky insistim po përforcohet pas kuintave që në vitet 2014/15. Po shtohen shenjat, që ky opcion ka nisur të merret në konsideratë në Berlin. Ministri i Jashtëm Heiko Maas ende vazhdon të predikojë moral, por pas kësaj fasade ai synon një “politikë të re ndaj lindjes”. Ai u referohet shteteve të Vishegradit. Edhe një kërkesë e liberalëve në Bundestag kërkonte në vjeshtë një bashkëpunim strategjik të institucionalizuar me këto vende. Ndonëse kjo zyrtarisht nuk ka shans të trajtohet, sepse liberalët janënë opozitë, një numër politikanësh të partive në pushtet kanë sinjalizuar, se një gjë e tillë është e domosdoshme. Ato duan të përpiqen që kjo kërkesë mundësisht të trajtohet në komisionet parlamentare. Gjermania pas Brexitit duhet t’i përkushtohet Europës Qendrore dhe Lindore – si një kundërpeshë ndaj Francës, por edhe për t’i afruar vendet e Vsihegradit dhe për t’i mbajtur ata larg prej lëvizjeve të djathta në Itali dhe në Francë. Por në këtë drejtim pengesën më të madhe e ka krijuar vet politika gjermane: Debati ligjor dhe neni 7 i proceseve të BE-së ndaj Polonisë dhe Hungarisë. Si mund të mbyllen procese të tilla? Askush nuk e di – të falen “mëkatarët” – këtë askush nuk ka guxim ta bëjë – nga frika, se me këtë mund të vihen edhe vet në shënjeshtër. Por as dënim nuk do të ketë – sepse vendimi kërkon unanimitet.
Shpresë ndaj mekanizmit të shtetit ligjor
Zgjidhja do të ishte mekanizmi i shtetit ligjor i menduar prej Komisionit të ri të BE-së, që do të vlente për të gjitha vendet. Ky do të ishte një shans, për t’i kaluar proceset ekzistuese në mekanizmin e ri. Por një hap i tillë duhej bërë me shumë kujdes. Sepse shtrohet pyetja se si qendron puna me Gjykatën Kushtetuese franceze të politizuar dhe pavarësinë e saj? Apo me politikën tradicionalisht me pështjellime korruptive në Austri? Ose me praktikën e diskutueshme të tenderave me paratë e BE-së në Greqi? Lista është shumë e gjatë.
2020 kësisoj mund të jetë çasti i lindjres së një BE-jë kontinentale, politika e së cilës sërish të kujton më shumë politikën pragmatike se sa predikimin biblik në mal. Boris Kálnoky, i lindur më 1961, është korrespondent nga Budapesti i gazetës “Die Welt” dhe medieve të tjera gjermane./DW