Në fund, të gjithë jemi gati për bilancin, jeni edhe ju? Po të nisim nga fundi, disa ditë të këtij viti nuk do donim kurrë t’i përjetonim, as t’i kujtonim madje. Por përgjatë këtyre 365 ditëve, ka pasur shumë ditë të bukura, të bekuara disa të tjera. Siç u ka ndodhur disa vajzave të njohura të showbiz-it shqiptar që për të parën herë këtë vit kanë gëzuar një status tjetër në jetën e tyre, janë shpërblyer me një dhuratë të madhe, më të madhen e më të bukurën që jeta mund të të dhurojë. Më poshtë do të gjeni disa prej vajzave të njohura që këtë vit janë bërë nëna, gëzimin e tyre të parë dhe foton e parë nga takimi i shenjtë me foshnjën e sapolindur.
Elita Rudi
Përjetoi një shtatzëni të bukur, por edhe “të lodhshme” për publikun. Pyetjes është apo jo shtatzënë, Elita nuk i dha përgjigje derisa bashkëshorti i saj, Gjiko, publikoi këngën e re, në të cilën “modelja” ishte Elita. Reperi dhe moderatorja u bënë prindër të Zërit në shkurt të këtij viti dhe janë shumë të lumtur. Zëri është bërë shoku më i ri i botës virtuale për fansat e Elitës dhe Gjikos njëkohësisht. Edhe gjyshja e Zërit, nëna e Gjikos, është shumë e lumtur me statusin e ri. “Ndjenjë e veçantë, nga sot gjyshe…”, – shkroi ajo menjëherë pas lindjes së nipit.
Anjeza Shahini
Lajmin e bukur të pritjes së ëmbël ajo e dha nëntorin e vitit të kaluar, ndërsa më 8 mars, Anjeza dha lajmin se është bërë nënë për herë të parë. Përmes një fotoje dhe një dedikimi të bukur, këngëtarja shkroi: “Dita e parë e gruas si nënë. Përshëndeteni vajzën time të vogël Tori, Victoria Kelis Connoll. Këtë vit festoj ditën e gruas si një mami e një vajze të vogël sa një gogël, që quhet TORI”.
Edhe pse Tori erdhi në jetë para kohe dhe kaloi një periudhë të gjatë dhe të vështirë në spital, tani ajo është një vogëlushe e shëndetshme dhe bukuroshe.
Diellza Kolgeci
Ish-Miss-i shqiptar Diellza Kolgeci dhe partneri i saj, basketbollisti Fisnik Rugova, janë bërë prindër për herë të parë në prill të këtij viti.
Në një intervistë për mediat, pak javë pas lindjes, Diellza ka folur për periudhën e mëmësisë, e cila, si për të gjitha nënat e reja, edhe për të nuk ka qenë aq e thjeshtë: “Është ndjenjë që vërtet vështirë mund të përshkruhet, por mund t’ju them që jam duke kaluar momentet më të rënda të jetës sime, pasi çdo gjë dua ta bëj perfekt dhe në të njëjtën kohë, momentet më të lumtura të jetës sime, aspak e lehtë netët pa gjumë, e lodhur, por gjatë ditës Helena më jep një super energji.”
Almeda Abazi
Pritja e ëmbël mori fund këtë vit edhe për bukuroshen e njohur shqiptare. Mëngjesin e 6 majit Almeda Abazi dhe bashkëshorti i saj, Tolgahan Sayisman, u bënë prindër për herë të parë.
Lajmi u mësua shpejt nga mediat turke dhe më vonë, edhe dy prindërit e rinj postuan foton e parë me të voglin e tyre. Almeda, pak kohë pasi mori veten nga lindja, tha se kaloi shumë orë në pritje, madje edhe në ankth, e frikësuar për djalin e saj, por fatmirësisht gjithçka shkoi mirë për të dy dhe sot ata gëzojnë shëndet të plotë. Efehan ka trashëguar tiparet më të bukura të të dy prindërve.
Rona Nishliu
Menjëherë pas martesës private, këngëtarja e njohur Rona Nishliu dha lajmin e bukur se do të bëhet nënë për herë të parë. Rona Nishliu, në korrik të këtij viti ka sjellë në jetë një vajzë. Noa është emri me të cilin Rona dhe bashkëshorti i saj kanë vendosur ta quajnë të bijën. Ky emër në fakt është pranë emrin të mamit të Ronës, vjen nga hebraishtja dhe është mjaft i njohur për vajzat në Izrael dhe do të thotë “lëvizje”. Në Bibël, Noa ishte një nga pesë bijat e Zelofehadit.
Eliza Dushku
Aktorja 38-vjeçare e postoi këtë foto të bashkëshortit të saj Peter Palandjian duke e mbajtur foshnjën si një pozë të frymëzuar nga “The Lion King”. Dushku shkroi pranë fotos: “BEBJA JONË = #Bourne. A mund ta ndiesh dashurinë, Philip ‘Bourne”!?.
Albina Gjergji
Gazetarja e njohur shqiptare, Albina Gjergji, është bërë nënë për herë të parë, në tetor të këtij viti. “Faleminderit Zot për gëzimin e madh që na dhe”,- shkroi Albina në krah të fotos së parë që postoi me të bijën. Vajza e Albinës lindi në New York-un dhe prej andej, gazetarja e njohur e ndau lajmin me të gjithë miqtë e saj virtualë.
Bruna Lahe
Ka vetëm pak javë që Bruna është bërë nënë për herë të parë: “Jam bërë nënë! Faleminderit Zot për këtë bekim! Mesa duket kam sjellë në jetë një vajzë që do të bëhet një grua me karakter të fortë e ide të qarta. Unë dhe babi i bebushes me gjinekologen @jolalulo kishim planifikuar, tjetër orë, tjetër datë, tjetër shenjë horoskopi. Kisha një listë me emra ku secili mund të ishte i duhuri. Vetëm kur ta shihja portretin e saj do ta gjeja me siguri emrin. Por e vogla ime nuk mori para sysh asgjë nga këto. Zgjodhi ditën e saj të lindjes: e hënë. Orën e saj: mbrëmje, ku një gjysmëhënë mistike, magjepsëse shndëriste. Kështu ishte vetë ajo që zgjodhi edhe emrin e saj: HANA. Mirë se erdhe mes nesh #HANAMETA, mami dhe babi mezi po të prisnin të kapnin dorën tënde për të mos e lëshuar më asnjëherë”.
Vilma Masha
Dhjetori është një muaj edhe më i ëmbël për Vilma Mashën, moderatoren e njohur të sportit, e cila në datën 19 solli në jetë fëmijën e saj të parë: “Sot në mëngjes, Zoti më bekoi me një ëngjëll të vogël. Drita e saj më ndriçoi fort shpirtin…”, – shkruan Vilma Masha në profilin e saj duke falënderuar mjekun dhe stafin e spitalit në të cilin ka ardhur në jetë princesha e vogël me emrin Sea.
/Gazeta Mejdani/