Festimi i vitit të ri, në mesin tonë është një fenomen relativisht i ri, por si çdo festë apo ngjarje tjetër edhe Viti i Ri e ka historikun e vetë, e që i bie se nuk është vetëm festë e ndërrimit të moteve, por ka një mesazh apo prapavijë e cila na dërgon deri tek gjeneza apo origjina e saj! Po ashtu edhe Bredhi, apo ndryshe i njohur edhe si Pema e Vitit të Ri dhe Baba Dimri, janë pjesë e kësaj feste të shumëpërhapur dhe si të tilla edhe këto kanë një origjinë të vetën. Andaj, në pika të shkurtra do të endemi në kohë dhe kultura të ndryshme për të zbuluar se si linden këto kulte që sot janë pjesë e pothuajse çdo familje në vendin tonë në fund të vitit.
Shkruan: Sali O. Kabashi
Viti i Ri (Saturnalia)
Kjo festë ka filluar në Babiloni dhe në Mesopotami. Kështu u bë zakon pagan i adhurimit të Diellit, 2000 vite p.e.s. dhe u festua në kohën e ekuinoksit të Pranverës, në mes të marsit. Një shumëllojshmëri e datave të tjera të lidhura me stinët janë përdorur edhe nga kultura të ndryshme të lashta, egjiptianët, fenikasit dhe persianët vitin e tyre të ri e fillonin në vjeshtë, ndërsa grekët e festuan atë në dimër.
Romakët e quajtën atë “Saturnalia”, në nder të Saturnit perëndisë së Bujqësisë. Në mesin e tyre ishte jashtëzakonisht popullor, festohej me aheng, ngrënie, pirje, vallëzim dhe në fund me sakrificë njerëzore. Në vitin 46 para Krishtit, Jul Cezari paraqiti një kalendar të ri, atë diellorë që ishte një përmirësim për kalendarin e lashtë romak. Kalendari Julian vendosi që 1 janar-in ta bëj fillim të vitit të ri. Ky fillim i vitit të ri, është edhe sot sipas kalendarit Gregorian.
Bredhi (Pema e Vitit të Ri – Krishtlindjes)
Pema me gjelbërim të përjetshëm (Bredhi) tradicionalisht përdorej për të festuar festat e dimrit (pagane dhe të krishtere) për mijëra vite. Paganët përdornin degët e Bredhit për të dekoruar shtëpitë e tyre gjatë Dimrit, pasi ajo i bënte ata të mendonin Pranverën që do të vij. Romakët përdornin degët e Bredhit për të dekoruar tempujt e tyre në festivalin e Saturnalia-s. Paganët besonin se Bredhi do t’i mbajë larg shtrigat, fantazmat, frymërat e liga dhe sëmundjet.
Në hemisferën veriore, dita më e shkurtër dhe nata më e gjatë e vitit bie më 21 ose 22 dhjetor dhe quhet Dimri solstik. Shumë njerëz të lashtë besonin se Dielli ishte një perëndi dhe se Dimri erdhi çdo vit për shkak se zoti Diell ishte sëmurë dhe i dobët. Ata festuan solstikin sepse kjo do të thotë, se më në fund zoti Diell do të filloi të marrë vetën dhe të shërohet. Degët Bredhit iu kujtonin atyre të gjitha bimët e gjelbra që do të rriten përsëri kur zoti Diell të ishte i fortë dhe kur do të kthehej Vera. Të krishterët e përdorin atë si një shenjë e jetës së përhershme me Perëndinë
Baba Dimri – Santa Claus (Legjenda e Shën Nikollës)
Legjenda e Baba Dimri-t (Santa Clause) mund të na kthej qindra vite prapa, tek një murg me emrin Shën Nikolla. Besohet se Nikolla ka lindur diku rreth vitit 280 të e. s. në Patara, në afërsi të Myra-s në Turqinë e sotme. Ishte shumë i admiruar për devotshmërinë dhe mirësinë e tij, Shën Nikolla u bë objekt i shumë legjendave. Thuhet se ai e dhuroi të gjithë pasurinë e tij të trashëguar, ku udhëtoi ne çdo fshat dhe ndihmoi të varfrit e të sëmurët. Një nga tregimet më të njohura të Shën Nikollës është se ai i shpëtoi tri motra të varfra nga shitja, ku babai i tyre kishte planifikuar ti shes si skllave apo prostituta dhe iu dhuroi atyre një dhunti në mënyrë që ato të mund të martohen. Gjatë shumë viteve, popullariteti i Nikollës u përhap shumë dhe ai u bë i njohur si mbrojtës i fëmijëve. Dita e tij festohet në përvjetorin e vdekjes së tij, me 6 Dhjetor. Sot ai njihet si, Baba Dimri (Kosovë), Babagjyshi i Vitit të Ri (Shqipëri), Santa Claus (SHBA), etj.
Tek ne, festimi i vitit të ri do të vinte si fenomen, apo shënim i kësaj datë, aty rreth viteve ‘50, ku të rinjtë tuboheshin në një vende të caktuar dhe organizonin ahengje të ndryshme, ndërsa si festime familjare në çdo shtëpi nisi në vitet ‘70, për tu bërë tashmë një nga festat më të mëdha dhe të cilës i kushtohet shumë rëndësi.
Kjo festë, si shumë festa që tashmë janë bërë globale dhe komerciale e shumë fitimprurëse për biznese të ndryshme, kanë hyrë në kulturën dhe traditën tonë, si festa tradicionale.
Discussion about this post