Sa herë kaloj nga bukinistët e ndal hapin dhe instiktivisht filloj të lexoj tituj librash dhe emra autorësh që janë të rrradhitur në bordurë pa ndonjë rregull të caktuar. Disa më bëjnë nostalgjikë për kohën kur i kam lexuar, disa më kuriozojnë sepse diku i kam dëgjuar, të tjerë as parë e as dëgjuar përpiqem ti fantazoj për vlerat e brendisë së tyre.Kam apo jo lekë me vete, pavarsisht se për ku jam nisur, nëse diçka më tërheq, e marr e paguaj me të parën. Ndonjëherë i shfletoj në dorë duke ecur si për të gjendur arsyen e blerjes apo të bindem se ia ka vlejtur.
Shkruan: Eli Kanina
Në mes të librave të shtrirë në rradhë trotuarit apo bordurave shpesh gjen thesare që nuk mund ti blesh në librari prej çmimeve të kripura, apo prej rrogave bajate ( të vogla sa s’thuhen). Thesare që s’dihet sesi përfundojnë aty, por mbeten plot vlerë, edhe pse të përdorur. Kur ai që i shet, nuk ka kulturën e leximit, mund ti marrësh pothuaj badjava. Ama kur shitësi është i lëçitur apo i vetëdijshëm për vlerat e librave që shet, duhet të bësh edhe ndonjë negociatë për të gjetur një çmim të kënaqshëm për të dy palët.
Ndodh që librat janë nga biblioteka personale dhe kjo kuptohet nga vulat apo nënshkrimet personale të firmosur njësoj tek të gjithë librat. Nga mënyra e mirmbajtjes, nga lloji i letërsisë (ruse apo frënge, romane apo poezi, antolgji apo autobiografi, historikë apo studimorë etj) unë filloj të krijoj idenë mbi atë që i ka pasur. Nga librat profesionalë kuptoj se mund të jetë një mjek, një ekonomist, një mësues, një jurist etj që ka pastruar apo riformatuar bibliotekën, nga librat artistikë kuptoj shijet e tij letrare.
Ndonjëherë tek bukinistët gjen vepra politike, revista dhe periodikë por edhe libra artistikë që lidhen me regjimin e kaluar apo me luftën dhe pa asnjë vlerë artistike. Këta shiten mbase për efekte studimore apo për kureshtarët, duke përfaqësuar ideologjikisht atë regjim. Ndoshta ndonjë nostalgjik i thekur i ka arshivuar e ruajtur fort deri tani, apo mungesa e sobave me dru në apartamentet e sotme ua ka zgjatur jetën deri në këtë kohë. Nuk besoj se brezat pasardhës të atij që i ka blerë, kanë lidhje me bindjet politike apo janë kundër atyre librave. As besoj të kenë vrarë mendjen nëse vlejnë nga brendia apo jo. E shumta janë marrë me titullin. Ose i kanë flakur, thjeshtë për të liruar vend. Vendi i librave në shtëpitë e sotme sa vjen e zvogëlohet duke u kthyer më tepër në etazher antikuaresh sesa rafte të mirfilltë biblioteke. Edhe kur shtëpia ka shumë hapësira, zor se gjen bibliotekë, edhe nëse ka, librat aty janë blerë me metra në panair dhe me kopertinë sipas ngjyrës së mobilimit, pra janë thjesht dekorues…
Kështu ecja atë mëngjes e mendoja përtueshëm, përgjatë bulevardit të gjërë, ku kishte gjithçka doja, kafene, njerëz, pemë e lule, dekorime, madje edhe libra. Ishte një ditë që nuk të drejtonte asgjëkundi dhe të ofronte shumçka, nëse do kërkoje. Dielli dukej se e kish me dy mendje, edhe pse qielli i tejdukshëm nuk të sillte ndërmend ndonjë çakërdisje të motit.
E pamotivuar ndihesha dhe isha kureshtare për detajin që do të bënte diferencën e kësaj dite tek unë, në sfondin e ditëve që më prisnin të shijoja pas marrjes së lejes. E kapa veten mat tek bukinisti përgjatë urës së bulevardit, teksa përkëdhelja me sy kopertinat e librave të rrradhitur. Një mori titujsh e autorësh parakalonin e më miklonin buzë bulevardit. Pulita sytë dhe mbajta këmbët. Emri i një shoqes time të shkollës ishte mbi një nga librat. Më në fund në duart e mia, nuk e fsheha ngazëllimin unë. Sa e sa herë ia kisha kërkuar shoqes time kur takoheshim në ndonjë aktivitet, ajo shmangej duke thënë se nuk kish më kopje dhe ishin libra fillestarësh ndaj nuk ia vlente as ribotimi.
Ajo ishte pedagoge në Universitet, kishte shkruar nja dy libra dhe kishte mbrojtur edhe një titull. Mos ishte më modeste seç duhet? Parë në këtë këndvështrim, më dukej karriera si pengesë, për të më ballafaquar me krijimtarinë. Megjithëse një karrierë e mbarë,ka gjithmonë nostalgji për fillimin apo pikënisjet e saj.
Kur u takuam së pari, pas 20 vitesh, pothuaj nuk më njohu, apo bëri sikur? Kur mori vesh se vija nga jashtë, më tha me të qeshur se mund ti sponsorizoja ndonjë libër. U habita sepse ajo ska pasur nevojë shumë për para, edhe pse ëndërronte të notonte mbi to. Më tepër u habita që edhe ajo kishte krijuar dhe kur desha të di më tepër, e kapërceu pa u përgjigjur siç dinte ajo, mjeshtre e situatave të sikletshme. Mu duk po ajo shoqe e dikurshme që nuk honepste librat, pavarsisht fasadës së tanishme prej zonje. Edhe unë nuk është se kisha ndryshuar aq shumë jashtë e brenda, sa për të mos u njohur, por kujtesa e saj seleksionuese nuk më kish sistemuar në skedarët e saj. Dhe me të drejtë, unë nuk isha bija e ndonjë ministri, deputeti a lider partie, nuk kisha aq para sa ta qerasja apo ti shkoja pas havazit, nuk isha as nga Tirana den baba den, cilësi që ajo i parapëlqente. Thjesht shoqërimi ynë ishte korrekt dhe vazhdonte edhe pa ato preferencat e saj.
Më kujtohet kur më merrte ndonjë libër shkolle dhe gjente aty strofa poezish, më pyeste nëse e kisha bërë unë apo ishte citat nga autorë të tjerë. Kaq shumë i pëlqenin sa çuditej sesi i gjeja ca gjëra qënë thelbin e shpirtit i ceknin, “duken enkas për mua”…
I pëlqente të merrte nga mua shprehje të bukura për urime e dedikime, kur mi lexonte blloqet dhe fletorkat me citate e shprehje nga librat e tjerë. Krijimet e mia të papublikuara askund, përgjëroheshin për sytë e shoqes dhe vëmendja e saj ma harliste frymëzimin për poezi të tjera.
Ishin vitet pas ’90 dhe përmbysja e sistemit duhej reflektuar ndryshe, ndërsa unë vazhdoja me pasion adoleshenteje të lexoja libra dhe shkuarja në bibliotekë, gati më bënte me turp. I druhesha etiketimit “peshkopse” apo edhe nënkuptimeve më ironike “e ke kap keq me peshkëpatën, mos takon ndonjërin aty?”
Shoqja ime nuk lexonte libra, se “mi tregon ti” dhe s’kam nevojë të lodhem e të humb kohë më thoshte . Edhe kur merrte ndonjë libër timin, i binte mbi fytyrë pa mbaruar faqen sepse flinte. Librat e saj të preferuar ishin të vegjlit, ata që kishin dialog ndër faqe, apo me epilog në fund, ndyshe nuk mund t’i hyj faqes fjalë për fjalë. Sikur punon qilizëm në tokë djerrë!
-Ti shkruan bukur, je romantike e vonuar, por kjo gjë është demode dhe e pavlerë, mos u merr kot me poezi- më tha një ditë.
– Nuk varet prej meje, është diçka përtej meje, që më tejkalon kur ulem të shkruaj, dhe nuk pyet për modën – iu përgjigja, jo më pak e habitur sesa e zhgënjyer.
– Semos i botosh se le nam e ta varin teneqenë pastaj! Mblidh mendjen goceeee
– As mundem e as dua ti botoj, le të mbeten paçavure në sirtare- ia ktheja unë duke tundur kokën, e kthehesha vrikthi, a thua kisha frikën e ndonjë teneqeje pas shpine…
Takoheshim pas kaq vitesh dhe ajo asnjëherë nuk e kujtonte kohën e shkollës, madje edhe kur ia kujtoja, më ndërpriste sakaq:
– Sa debile kemi qenë pas librave, mos u kujtoftë ajo kohë!
Dhe vazhdonte me biseda të ndryshme për modën e veshjes e udhëtimet jashtë, e për gjithçka tjetër përveç librave, që për të ishin patetike dhe pa vlerë. Në promovime librash ajo vinte si e ftuar nderi, ulej në podiume e mbahej rëndë, edhe pse kurrë nuk referonte. Në koktejet e mëpasme herë më përshëndeste e herë jo, si të gjendej e shoqëruar. Por kur binte rasti të flisnim bashkë nuk harronte të më vlerësonte poezinë e veçantë dhe librin e rradhës. Asnjëherë në prani të të tjerëve. Mbase ishte ky vlerësim, që mua më mbante ende pas saj, të nënvleftësuar si njeri?
U përkula e mora librin e shoqes nga toka, me delikatesën sikur piqnim duart në takime. E shkunda dhe e ktheva për të parë çmimin. E pagova dhe nuk e mbajta kuriozitetin ta hap menjëherë. Dedikimi me firmën e shoqes në kryefaqe nuk më habiti, ishte për një ish-ministre të kulturës ku ajo i drejtohej me përzemërsi nga shoqja e shkollës. Mirënjohëse? Për çfarë? Ah, ja ku shpjegohej në fund të faqes se ky libër ishte botuar si fituesi special pas një konkursi, nga fondi i Ministrisë së Kulturës. Shoqja ime që s’kishte pasur ndonjëherë nevojë për para, e botuar me fond? Epo askush nuk ka aq shumë sa të thotë, mjaft!
Mu kujtua ajo ministre kulture, që kishte qenë 3-4 vite para nesh në shkollë, e pakulturuar me tërsej, por që ngrysej e gdhihej në selinë e partisë më trendi e në modë pas ’90, për të zënë miq e për të marrë provimet e shkollës si aktiviste e devotshme.
Nuk më kujtohej të kishin atëherë miqësi ato të dyja, por ndoshta ishin ftilluar më vonë bashkë, kur unë kam qenë në Greqi, i dhashë karar habisë time. Vazhdova të shfletoj atë doracak, që ndoshta gjithë peshën e kishte tek ai dedikim, sepse poezitë po më dukeshin naive gati si vjersha me rimë foljore.
Buzëqesha dhe e mirkuptova shoqen për hezitimin e saj. Ndoshta tani krijimtaria e saj është pjekur ndaj nuk i pëlqen të prezantohet me këtë vjershëtore mendova. Vazhdova ta shfletoj për inerci, si në një dyqan veshjesh, pasi e ke përcaktuar me një sy nga manekinët dhe ekspozimet, dhe e di se ç’do gjesh aty. Tek një faqe ndala këmbët dhe rilexova vargjet. Shumë të njohura më tingëlluan. Edhe një tjetër e njohur. Edhe kjo. Ja edhe kjo, që ngjante me një nga lirikat e profesorit tim dhe unë e recitoja vazhdimisht në shkollë ” këndeska e kënetës këlthet…”
Ishin nga fletorka ime, që e përmendja gjithmonë si të humbur, ku kisha krijimet e mia të para! Nuk mbaja mend t’ia kisha dhënë, por pak rëndësi kishte. Më filloi një dridhje duarsh, nga emocioni i ritakimit me vjershëtimin tim të parë, apo nga kuptimi që mori tek unë sjellja e asaj shoqeje ndër vite. E pazëshme për vlerat e mia, po aq edhe për krijimtarinë e saj ajo megjithatë gëzonte privilegjin të ishte edhe pjesë e një antologjie ndërkombëtare, si përfaqësuese e vetme e Shqipërisë. Disa herë isha bërë gati ta uroja, por mosnjohja e krijimtarisë së saj, më bënte të rezervuar.Nuk kisha ndjerë asnjëherë xhelozi për të, madje për askënd. Secili ka hisen e vet të diellit ku mund të bëjë çdo gjë, dhe nën të edhe 2 metra tokë, ku mund të rehatohet pa bërë asgjë. Edhe në shkollë nuk ia thekte fare, madje ajo binte në sy dhe bëhej objekt i replikës mes profesorëve vetëm për mbiemrin qesharak. Por ky llagap nuk ishte parathënie as për talent dhe as për vizion krijimtarie. Nuk dija këtë moment ç’të mendoja ndërsa mendoja shumë gjëra njëherazi.
Shpejtova hapat dhe vura re që po ecja paralel me Lanën. Era e rëndë e saj në një krah dhe tymi i makinave në krahun tjetër po më zinin frymën. Asfiksia ime u davarit disi kur hodha sytë mbi Dajt. Dielli që kishte qenë mëdyshas atë mëngjes, e kishte ndarë mendjen të dilte. Nuk u ndjeva e humbur./Gazeta Mejdani/
Discussion about this post