Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për çregjistrimin e 8 partive politike, të cilat nuk kanë rezultuar si të certifikuara për të marrë pjesë në tri palë zgjedhjet e fundit në Kosovë.
Ky vendim është marrë në zbatim të Rregullës Zgjedhore për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike.
Kështu ka bërë të ditur për Insajderin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ditë më parë ka marrë vendim për të çregjistruar 8 parti politike. Ky vendim është marrë në zbatim të Rregullës Zgjedhore për Regjistrimin dhe Veprimin e Partive Politike. Rregulla në fjalë specifikon qartë se çregjistrimi ndodh, ndër tjerash, kur partia politike nuk është certifikuar nga KQZ-ja për të marrë pjesë në tri palë zgjedhje të njëpasnjëshme. Prandaj, këto 8 parti politike janë çregjistruar sepse nuk rezultojnë të jenë certifikuar për të marrë pjesë në të paktën tri palë zgjedhjet e fundit (2014; 2017 dhe 2019), as si parti politike për të marrë pjesë vetë në zgjedhje dhe as si pjesë e ndonjë koalicioni parazgjedhor”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Insajderin.
Tutje, Elezi ka treguar se tre parti janë ankuar ndaj vendimit të KQZ-së për çregjistrim në PZAP dhe 1 nga këto parti ka vazhduar procesin në Gjykatën Supreme.
“Tri nga këto 8 parti politike janë ankuar kundër vendimit të KQZ-së në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe ky institucion ka konfirmuar vendimin e KQZ-së, ndërsa njëra nga këto parti ka vazhduar procesin edhe në Gjykatën Supreme, e cila poashtu ka lënë në fuqi vendimin e PZAP-it dhe rrjedhimisht të KQZ-së. Partitë që janë ankuar ndaj vendimit të KQZ-së janë: Nova Snaga, Partia e të Gjelbërve, Partia Republikane, kanë vazhduar me ankesë edhe në Supreme”, ka shtuar Elezi.
Discussion about this post