Mediumi britanik, HITC, e ka krahasuar Milot Rashicën dhe Alexis Sanchezin, pasi sulmuesi kosovar po kërkohet nga Aston Villa, që synon ta transferojë atë për 33 milionë funte. Artikullin e plotë të HITC mund ta lexoni në vijim.
Kishte diçka Alexis Sanchez-eske në mënyrën se si Milot Rashica e zhbllokoi rezultatin gjatë përballjes së Werder Bremenit në Bundesligë kundër Bayern Munichut në Anfield, të shtunën, shkruan HITC, transmeton Gazeta Express.
Kosovari e kaloi topin në këmbën e tij të preferuar, të djathtën, dhe i ndezi motorët për ta lënë David Alaban të pashpresë, para se ta gjuante një goditje si raketë në portën e Manuel Neuerit.
Ky gol ishte si “deja vu” për tifozët e Aston Villas kudo. Në një ditë të majit 2015, përderisa Aston Villa po mposhtej nga Arsenali në finalen e FA Cup, Sanchezi pothuajse e shqeu rrjetën e portës me një goditje që është kopje identike e golit të fundjavës të shënuar nga Rashica.
Megjithatë, për dallim nga transferimi më i dështuar i Manchester Unitedit në këtë shekull, Rashica e ka të gjithë karrierën e tij para vetes dhe gjasat janë që ai t’i ndjekë hapat e Sanchezit me një kalim në Premierligë.
Sipas Kreis Zeitung, Aston Villa është e gatshme t’i paguajë 33 milionë funte për Rashicën. Kosovari, i cili bëri emër duke luajtur për Vitesse Arnheim para se të kalonte në Bremen në vitin 2018, do të bëhej futbollisti më i shtrenjtë në histori të Aston Villës.
Ai gol i bukur kundër Bayernit ishte i nënti për këtë sezon për Rashicën, duke e bërë kështu sezonin 2019/20 më të mirin deri më tani sa i përket statistikave. Pasi vetë faqja zyrtare e Bundesligës e ka krahasuar 23-vjeçarin me Sanchezin në kulmin e karrierës, Aston Villa mund ta fitojë së shpejti një lojtar që mund t’i terrorizojë mbrojtjet në Premierligë.
Rashica mund t’i duhet ca kohë para se t’i barazojë arritjet e Sanchezit në futbollit, mirëpo shpejtësia dhe aftësia e tij për të luajtur me topin në këmbë nuk mund të injorohet. /Gazeta Express/
Discussion about this post