Alergjitë ndaj ushqimeve janë shumë të zakonshme. Në fakt, ato prekin rreth 5% të të rriturve dhe 8% të fëmijëvë, përqindje këto që po pësojnë rritje.
Në botë numërohen rreth 170 ushqime të cilat shkaktojnë alergji, por vetëm 8 prej tyre janë më të përhapurat.
Çfarë janë alergjitë ndaj ushqimit
Një alergji ndaj ushqimit ndodh kur ushqime të caktuara shkaktojnë një përgjigje jo normale të sistemit imunitar.
Shkaktohet kur sistemi imunitar njeh gabimisht disa proteina të një ushqimi si të dëmshme. Pas kësaj trupi lëshon një sërë masash mbrojtëse, duke përfshirë lirimin e kimikateve si histamine, që shkakton inflamacion.
Për njerëzit që kanë një alergji ndaj ushqimit, edhe ekspozimi ndaj një sasie shumë të vogël mund të shkaktojë një reaksion alergjik.
Simptomat mund të ndodhin që disa minuta pas ekspozimit deri në disa orë më pas dhe përfshijnë:
- Enjtje të zonës së fytyrës apo gojës
- Vështirësi në frymëmarrje
- Ethe
- Presion i ulët gjaku
- Të vjella
- Diarre
- Kruarje apo skuqje të lëkurës
Në raste më të rënda, një alergji ndaj ushqimit mund të shkaktojë anafilaksi, një reaksion kërcënues për jetën, që prek njëkohësisht dy ose më shumë sisteme organesh në trup (p.sh. kur kemi njëkohësisht skuqje të lëkurës dhe vështirësi në frymëmarrje).
Nganjëherë njerëzit ngatërrojnë intolerancën ndaj një ushqimi me alergjinë ndaj tij. Por duhet të kemi parasysh se intoleranca ndaj një ushqimi ndryshe nga alergjia nuk e përfshin asnjëherë sistemin imunitar. Edhe pse intoleranca mund të ndikojë në cilësinë e jetës, nuk është kërcënuese për jetën.
Më poshtë janë 8 ushqimet, alergjitë ndaj të cilave janë më të shpeshtat:
Qumështi i lopës
Alergjitë nga qumështi i lopës zakonisht prekin fëmijët nën moshën 3 vjeç, por edhe persona të rritur. Fëmijët në 90% të rasteve e kalojnë këtë alergji teksa rriten, kështu që në mosha madhore mund të mos jenë më të rrezikuar. Gjithsesi si për fëmijët ashtu edhe për të rriturit, simptomat e alergjisë mund të fillojnë 5-30 minuta pas konsumimit të qumështit. Simptomat mund të variojnë që nga enjtja e fytyrës, skuqje, kruarje, të përziera apo inflamacion të stomakut. Nëse jeni diagnostikuar nga mjeku me këtë lloj alergjie shmangni jo vetëm qumështin e lopës, por edhe produktet që e përmbajnë atë. Këtu futet djathi, gjalpi, kosi, kremi i qumështit apo akullorja.
Vezët
Alergjia ndaj vezëve është e dyta për nga më të përhapurat në të gjithë botën. Rreth 68% e personave janë alergjik ndaj vezës deri në moshën 16 vjeç. Pas kësaj moshe alergjia mund të largohet gradualisht. Simptomat e alergjive nga veza fillojnë që nga kruarjet e lëkurës, problemet me tretjen dhe problemet me frymëmarrjen. Në disa raste të veçanta këto simptoma mund të shkaktohen të gjitha sëbashku. Ajo që e shkakton alergjinë tek veza është proteina, ndaj nëse jeni alergjik ndaj të verdhave të vezës jeni edhe ndaj të bardhave të saj.
Nëse shikoni që pas konsumimit të këtij ushqimi keni simptoma shqetësuese, drejtohuni menjëherë tek mjeku dhe hiqni dorë nga konsumimi i tyre. Ky përjashtim mund të mos jetë i vlefshëm edhe për të gjitha ushqimet që përmbajnë vezë. Sipas të dhënave, rreth 70% e fëmijëve të cilët vuajnë nga kjo lloj alergjie nuk përjetojnë simptoma të rrezikshme kur konsumojnë biskota apo kek me vezë.
Frutat e thata
Alergjitë ndaj frutave të thata janë gjithashtu shumë të përhapura. Këtu përfshihen arrat, bajamet apo fistikët. Nëse vuani nga kjo lloj alergjie, nuk duhet në asnjë mënyrë të konsumoni ushqime që i përmbajnë këto produkte. Rekomandohet shmangia e tyre dhe përshtatja me një dietë pa fruta të thata, salca apo vajra të ndryshëm që i përmbajnë.
Kikirikët
Megjithëse mund të mendoni se futen në familjen e frutave të thata, kikirikët janë bishatjorë. Njihen si shkaktarë të alergjive për shumë persona dhe mund të jenë të rrezikshëm për shëndetin në këto raste. Zakonisht shfaqet në mosha të vogla dhe mund të zhduket gjatë jetës, gjithsesi kujdesi maksimal është i nevojshëm. Nëse vuani nga kjo alergji, eleminoni menjëherë këtë ushqim nga dieta juaj.
Ushqimet e detit
Alergjitë nga ushqimet e detit shkaktohen kur trupi reagon ndaj proteinave që këto ushqime përmbajnë. Këtu përfshihen gaforret, kallamari apo karkalecat e detit. Proteina e quajtur tropomiozinë që këto ushqime përmbajnë, mund të shkaktojnë një sërë reaksionesh në organizëm.Shmangni të gjitha këto ushqime nëse jeni alergjikë ndaj tyre.
Drithërat
Alergjia ndaj drithërave mund të zhduket gjatë 10 viteve të para të jetës, por është gjithsesi e rrezikshme. Këtu futen të gjithë ushqimet me bazë drithrat, brumërat, buka dhe çdo gjë tjetër që përmban këtë produkt.
Soja
Megjithëse nuk janë shumë të përhapura, alërgjitë ndaj sojës janë prezente në 0.4% të fëmijëve. Kjo alergji shkaktohet nga farat e sojës dhe produktet që i përmbajnë ato.
Peshku
Alergjitë nga peshku prekin rreth 2% të të gjithë të rriturve. Kjo lloj alergjie mund të zhvillohet edhe gjatë jetës dhe në mosha të mëdha. Përveç alergjive nga ushqimi disa njerëz mund të përjetojnë edhe intolerancën nga ushqime të ndryshme. Intoleranca ndaj ushqimit mund të shkaktojë efekte anësore minimale të cilat nuk prekin sistemin imunitar dhe nuk janë të rrezikshme.
/Gazeta Mejdani/
Discussion about this post