Rastet e grabitjeve të bankave në Kosovë janë shpeshtuar viteve të fundit, shkruan Indeksonline.
E rasti më i freskët ka ndodhur sot në orët e hershme në Klinë ku disa persona të maskuar me mjete shpërthyes kanë demoluar bankomatin “Raiffaisen Bank”.
Madje si pasojë e këtyre krimeve humbi jetën edhe një person zyrtar vitin e kaluar.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Izet Dema nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra nga përleshja me një të armatosur në qendër të Istogut, i cili dyshohet të ketë tentuar ta grabis një bankë.
Në bazë të të dhënave nga Policia e Kosovës 2077 raste janë cilësuar si vjedhje të rënda vetëm në gjashtë mujorin e parë të 2019-s.
Ndërsa, numri i grabitjeve ka shënuar rënie nga 133 në 102 raste, shkruan Indeksonline.
“Gjatë gjashtëmujorit të parë të 2019 policia ka arrestuar 6769 të dyshuar, prej tyre në mbajtje janë dërguar 1993 të dyshuar, janë neutralizuar 19 grupe kriminale. Ne vijim keni disa Statistika te disa veprave penale për periudhën janar-qershor 2019 krahasuar me periudhën e njëjtë te vitit te kaluar: numri i vrasjeve ka shënuar rënie nga 16 në 12 vrasje, ose -25% numri i vjedhjeve të rënda ka shënuar rënie, nga 2451 në 2077, ose rënie për -15.25%, kurse numri i grabitjeve ka shënuar rënie nga 133 në 102 raste, ose rënie për -23.30%, të rasteve të grabitjeve ( këtu nuk janë përfshire vetëm rastet e grabitjeve në banka, por të gjitha llojet e grabitjeve si: grabitje të qantave, telefonave etj, sipas kodit penal të RKS-së)”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Indeksonline.
Por kush i kompenson parat e vjedhura në një bankë në Kosovë?
Kushtrim Ahmeti, zëdhënësi në Bankën Qendrore të Kosovës, ka thënë për Indeksonline se Kostoja financiare që shkaktohet me rastin e ngjarjeve të tilla asnjëherë nuk mbulohet nga klientët apo BQK-ja, por nga vetë banka.
Pasi që këto të fundit kanë kontrata me kompanitë e sigurimeve.
“Bankat i sigurojnë paratë e gatshme tek kompanitë e sigurimeve që janë të licencuara dhe që mbikëqyren nga BQK-ja. Kostoja financiare që shkaktohet me rastin e ngjarjeve të tilla asnjëherë nuk mbulohet nga klientët apo BQK-ja, por nga vetë banka, e që këto të fundit kanë kontrata me kompanitë e sigurimeve. Çështja e plaçkitjeve të bankave është përcjellë me shumë kujdes nga BQK-ja”, ka thënë ai .
Ahmeti shtoi se është nënshkruar një marëveshje në muajin shkurt e cila ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar.
“Sipas Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut Operacional, bankat njoftojnë Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës lidhur me këto ngjarje dhe organet tjera përkatëse që janë përgjegjëse. Rrjedhimisht, me iniciativë të Guvernatorit Mehmeti në muajin shkurt të këtij viti pas shumë diskutimeve për shqetësimet rreth dukurisë së plaçkitjes së institucioneve financiare në Kosovë është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit me drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, të Policisë së Kosovës dhe të Shoqatës së Bankave të Kosovës. Marrëveshja ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar në mënyrë që bankat, personeli i tyre dhe qytetarët të kenë një ambient sa më të sigurt për zhvillimin e aktivitetit të tyre”, ka thënë ai.
Discussion about this post