Natyra prindërore është e tillë që gjithmonë tregohet shumë mbrojtëse ndaj fëmijëve. Por duke e tepruar me kujdesin ndaj fëmijëve, mund ti shkaktoni atij pasoja psikologjike të përhershme. Është tepër e rëndësishme që të mos e ekzagjeroni me kujdesin tuaj ndaj fëmijëve.
Sipas një studimi të ri, të kryer nga studiuesit e Universitetit “College of London”, të rriturit më të palumtur janë pikërisht ata të cilët kanë pasur prindër shumë të pranishëm, që në këtë mënyrë nuk kanë ditur të respektojnë rritjen e tyre dhe arritjen e tyre të pavarësisë. Studimi është publikuar edhe në “Journal of Positive Psychology”, një nga mediumet më autoritare që i dedikohet kësaj teme.
Studiuesit kanë ndjekur më shumë se 5000 persona që nga lindja e tyre më 1946. Nga analizat është nxjerrë në pah se pjesëmarrësit e rritur pa prindër shumë të përkushtuar kishin një gjendje mirëqenieje të përgjithshme më të mirë nga ata që kishin jetuar me prindër të gjykuar shpesh si “imponues”.
“Një kontroll konstant, psikologjik, mbi fëmijët mund të limitojë pavarësinë e tyre dhe mund t’i bëjë ata të ndihen më pak të aftë për të rregulluar sjelljen e tyre në varësi të situatës”, shpjegojnë studiuesit.
Pra, në kundërshtim me atë që besohej në të kaluarën, pushtimi i privatësisë së fëmijëve ose marrja e vendimeve në vend të tyre mund t’i çojë në krijimin e një varësie të madhe ndaj të dy prindërve. Rezultati është se, fëmijët zhvillojnë më pak ndjenja për veten dhe një pavarësi të paktë ndaj vendimeve. Padyshim, prindërve nuk u kërkohet që të jenë totalisht jo të gjindshëm, por që të jenë prezentë me një lloj shkalle të caktuar ‘gjykimi’.
“Prindërit janë jetësorë për mirëqenien mendore të gjeneratave të ardhshme, nga kjo pikëpamje është e nevojshme të reduktohen presionet ekonomike dhe çdo lloj presioni tjetër mbi nënat dhe baballarët, në mënyrë që t’i dedikohen krijimit të një marrëdhënieje më të mirë me fëmijët e tyre, pa eksese”, shpjegon autori i studimit, profesori Mai Stafford.
Pra me pak fjalë, edhe për edukimin e fëmijëve, fjala e drejtë është “moderimi”!
Si mund të jeni prindër të përkushtuar në masën e duhur?
Prindërit e përkushtuar janë ata prindër të cilët kanë një dialog të përhershëm dhe shpenzojnë kohë me fëmijët e tyre, hanë së bashku, e shfrytëzojnë kohën e lirë së bashku, si për shembull: lexojnë libra, luajnë, diskutojnë për gjëra të rëndësishme të cilat ndikojnë pozitivisht në botën e fëmijës dhe kur fëmijët kanë nevojë për ta, ju gjenden gjithmonë pranë tyre.
Prindërit e përkushtuar kanë një sjellje të ndjeshme ndaj fëmijëve, janë të kujdesshëm, tolerantë, mbrojtës, e mbështesin fëmijën e tyre, si dhe e qetësojnë atë në situata të caktuara. Ata formojnë një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme me fëmijët e tyre. Rolin e prindërit e kryejnë më së miri dhe plotësisht të gjithë ata të cilët janë të përkushtuar.
Këta prindër me sjelljet e tyre demokratike, u krijojnë kushte të përshtatshme fëmijëve të tyre për të fituar aftësinë e të drejtuarit dhe kontrollit të vetes, i mësojnë ata dhe i bëjnë të aftë të marrin përgjegjësi, i mbështesin në shkollim dhe kujdesen për të gjitha nevojat e tyre gjatë shkollës. Duhet kuptuar se fëmija ka nevojë për mbështetje, përkrahje, për siguri, përkushtim, zhvillim të aftësive psiko-fizike.
Çdo fëmijë ka një “cisternë emocionale” dhe kjo cisternë është figurative natyrisht, por padyshim mund të themi se është shumë reale. Çdo fëmijë ka nevojë të caktuar emocionale, dhe nëse këto nevoja emocionale plotësohen (përmes dashurisë, kuptimit, disiplinës etj.), përcaktojnë shumë gjëra. Pikësëpari, kjo përcakton se si ndihet fëmija, nëse ai është i kënaqur, i zemëruar, i dëshpëruar ose i gëzuar. Së dyti, kjo ndikon në sjelljen e tij, faktin nëse ai është i bindur/i pabindur, aktiv ose i tërhequr. Natyrisht, sa më e plotë të jetë “cisterna emocionale”, aq me pozitive do jenë ndjenjat, dhe aq më e mirë sjellja e fëmijës./Mejdani.com/
Discussion about this post